NIKAJ-MËRTURI
✤ Krahinë në pjesën P të rrethit të Tropojës, në JL të Alpeve Shqiptare, në kufi me rrethin e Shkodrës. Është e ndërtuar prej gëlqerorësh, dolomitesh dhe rreshpesh të mesozoit që përbëjnë pellgun e lumit të Nikajt dhe kreshtat e larta alpine që e rrethojnë si Maja e Hekurave, Grykat e Hapta, Zhaborret (mbi 2400 m) maja e Boshit (2416 m), maja e Kakisë (2360 m), Maja e Ndërmajnave (2250 m) etj. Akullimet kuaternare kanë gërryer cirqe të shumta që varen mbi pellgun e Nikajt prej kreshtave rrethuese. Ka klimë malore me dimër të ftohtë, me reshje të shumta bore dhe me verë relativisht të freskët. ‘Temp. mesatare vjetore është 11.5°C e sasia e reshjeve 2570 mm. Nga rrjedhjet ujore shquhet lumi i Currajt. Bimësia është e zonës së dushkut, ahut dhe pak nga e pishës (rrobullit), që arrin deri në lartësinë 1700-1800 m. Më lart shtrihet zona e kullotave të pasura alpine. Ka boksite. Qendrat kryesore të banimit janë Lekbibaj (qendra), Curraj, i ‘ Epërm dhe i Poshtëm, Qereçi, Mulaj, Shëngjergji, Tetaj etj. Veprimtaria kryesore është bujqësia (mbillet misri, patatja, thekra, fasulja), blegtoria (rritet dhia, delja e lopa) dhe shfrytëzimi i pyjeve.(Gj.G.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Nikaj-Mërturi
[cite]