Nismëtarët
Kisha Katedrale e Ungjillëzimit në Tiranë u rihap më datën 4 mars 1991. Pararendësit e rihapjes së katedrales qenë Dhjakon Spiro Findiku, Nasi Hobdari dhe Llazar Pjeshkazini. Kisha ishte në një gjendje të mjerueshme si në mjediset e brendshme, ashtu edhe në ato të jashtmet. Salla kryesore e kishës ishte si mos më keq nga mosvënia dorë mbi të. Suva të rrëzuara, çatia pjesërisht e rrënuar dhe lagështira ishte e pranishme kudo, dritaret me xhama të thyer etj. Pluhuri i përzier me lagështirën kishte fëlliqur muret dhe ndotur parketin e dyshemesë. Afreskat e pikturuara me mjeshtëri nga Motrat Zengo i kishin lyer me një shtresë të trashë gëlqereje që të mos dukeshin. Megjithatë lagështira kishte mundur të zbulonte fytyrat e katër Ungjillorëve, të cilët qenë pikturuar në kubenë e kishës. Amvoni i kishës dhe llambadarët e mëdhenj qenë dëmtuar nga keqbërësit. Ballkoni ku qëndronte kori ishte shndërruar në magazinë. Kishte shumë punë për t’u bërë, u lëshua kushtrimi për ndihmë. Besimtarët që iu përgjigjën të parët thirrjes qenë: Niko Hobdari, Filip Nito, Spiro Vojo, Spiro Bejleri, Petrika Shalësi, Qirjo Nikolla, Todi Janku, Milto Mima, Lekë Tasi, Aleko Dhima, Gazmend Leka, Pavllo Hobdari, Koçi Paci, Minella Mihali, Dhimitraq Kobuzi, Petrika Trako, Niko Kavaja, Kristaq Tasho, Andrea Llukani, Krisanthi Zoto, Drita Papajani, Llazar Nushi, Prokop Shundi, Leonidha Kllapi, Sandër Çoka, Thoma Valera, Grigor Laçka etj. Të gjithë emrat u shënuan më pas në ditarin e kishës.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)