Nos Xhuvani

shqiptar ortodoks Nos Xhuvani ka lindur në Elbasan më 18 gusht të vitit 1930. Shkollën e lartë e ka përfunduar në Institutin Pedagogjik katërvjeçar të Tiranës, në degën e gjuhës dhe të letërsisë ruse, në vitet 1951- 1955. Në vitin 1955 u emërua pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor dhe më pas ka qenë për shumë vite shef i katedrës së gjuhëve të huaja po në këtë Institut. Nos Xhuvani është autor i teksteve mësimore të gjuhës ruse për Fakultetin e Agronomisë e të Pylltarisë, ka hartuar fjalorët minimum terminologjikë rusisht-shqip për degët e agronomisë e të pylltarisë dhe është bashkautor në Fjalorin terminologjik të Zooteknisë. Nos Xhuvanin nga viti 1974 e deri më 1980 e kanë qarkulluar në Vorë të Tiranës, ku ka punuar si drejtor i shkollës së mesme të përgjithshme. Në vitin 1980 u kthye përsëri në Universitetin Bujqësor, ku punoi si pedagog i gjuhës ruse deri kur doli në pension. Nos Xhuvani ka shkruar për themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Për jetën dhe veprimtarinë kishtare dhe atdhetare të Dr. Visarion Xhuvanit është shkruar nga ai monografia: Visarion Xhuvaniapostull i atdhetarizmit dhe i ortodoksisë shqiptare, botuar në vitin 2003 në Tiranë. Nos Xhuvani është bashkautor në dy vepra të tjera kushtuar veprës së Dr. Visarion Xhuvanit: Vepra (botuar në Tiranë më 2007) dhe Na flet Visarion Xhuvani (2008).

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]