NJËSITET GUERILE


NJËSITET GUERILE
✤ Grupe të vogla të armatosura prej 5-10 luftëtarësh, që u formuan dhe u drejtuan nga komitetet qarkore të PKSH, sipas direktivave të KQ të Përkohshëm të PKSH, në qytete e fshatra, për të luftuar me armë kundër pushtuesve të huaj nazifashistë e veglave të tyre. Ishin forca e parë e armatosur e Luftës ANÇ. Përbëheshin prej komunistësh, të rinjsh komunistë e simpatizantësh, një pjesë e fë cilëve ishin ilegalë, kurse të tjerët punonin dhe kryenin veprime luftarake sipas detyrave që i ngarkoheshin njësitit. U ngritën për herë të parë në fund të 1941 në qytetet kryesore të vendit dhe në fillim të 1942 në qytetet e tjera të vendit dhe në një varg krahinash. Armatimi i tyre ishin pistoletat, automatikët, pushkët, bombat e dorës, thikat etj., të cilat u siguruan nga populli ose iu rrëmbyen armikut. Në qytet njësitet guerile shkatërronin depot, zyrat e objektet e tjera ushtarake, vrisnin oficerë e gjerarkë fashistë, spiunë e tradhtarë shqiptarë, shpërthenin burgjet, rrëmbenin materiale të armikut që nevojiteshin për Luftën ANÇ etj. Në fshatra godisnin vijat e komunikacionit, shkatërronin mjetet e ndërlidhjes, urat e rrugët, organizonin prita kundër kolonave e sidomos kundër njerëzve me përgjegjësi të armikut, sulmonin postat e depot etj. Veprimi luftarak i tyre karakterizohej nga sulmi i befasishëm dhe shpejtësia e rrufeshme. Aksionet e guximshme të Nj. G. i shkaktuan dëme të mëdha armikut, shërhyen për të përgatitur popullin për luftë të armatosur kundër pushtuesve e tradhtarëve dhe u bënë shkolla e parë e luftës nga ku dolën luftëtarë e kuadro politikë e ushtarakë të shquar. Siç e ka përcaktuar shoku Enver Hoxha veprimet e guerileve ishin pjesë e pandarë dhe fillimi i kryengritjes së armatosur.

Disa nga aksionet më të rëndësishme të njësiteve guerile gjatë 1942 janë: aksioni i 24 korrikut (shih) për prerjen e telave e të shtyllave telefonike e telegrafike në të gjithë vendin; djegia e depove të municionit në Radhimë, Mavrovë e në Qafën e Koçiut në Vlorë; hedhja në erë e depos së xhenios, djegia e centralit telefonik dhe sulmi i aerodromit në Tiranë; djegia e zyrës së fashios dhe e depos së fabrikës së hirrës në Korçë; shpërthimi i burgut të Shkodrës; hedhja në erë e një ure në Elbasan, si dhe mjaft atentate politike kundër gjerarkëve fashistë, spiunëve etj. Nj. G. edhe pas formimit të çetave partizane dhe krijimit të Ushtrisë NÇSH nuk e ndërprenë veprimtarinë e tyre luftarake në qytete dhe në krahinat e pushtuara. Nën udhëheqjen e komiteteve qarkore të PKSH në vjeshtën e 1943, Nj. G. kryen një varg aksionesh të rëndësishme në qytetet Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë. Në tetor 1943 në Tiranë vepronin 47 njësite guerilesh me 530 luftëtarë. Në luftën për çlirimin e Tiranës e të qyteteve të tjera Nj. G. dhanë ndihmesë të çmuar për bashkërendimin e sulmit nga jashtë me sulmet nga brenda, për dhënien e informatave të sakta për armikun etj. Luftëtarë të shquar të njësiteve guerile ishin Vasil Shanto, Vojo Kushi, Misto Mame, Perlat Rexhepi, Kajo Karafili, Mihal Duri, Ali Visha, Xhorxhi Martini, Shyqyri Ishmi, Myslym Keta, Petrit Hakani, Mehmet Bajraktari, Enver Velja, Maliq Muço, Tefik Lapani, Kostandin Leka, Tafil Skëndo, Miço Emini, Shyqyri Alimerko, Zaho Koka, Kapo Baca, Seldi Haxhialiu, Pertef Kokona, Branko Kadia, Nazmi Rushiti, Kristo Mushi, Selman Vishocica, Midhi Kostani, Kiço Greço etj.

(Dh. J. — M. II.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Njësitet Guerile


[cite]