Një provë e plotë
Askush nuk kishte parë ndonjë lumë duke hapur një luginë. Në atë kohë asnjeri nuk kishte një ide të qartë për qarkullimin e ujit në natyrë, që sot e dinë edhe fëmijët. Zinxhiri «kondensim-avullim-kondensim«që, me ndihmën e forcës së rëndesës e çon ujin nga deti në tokë dhe pastaj përsëri në det, nuk ishte V vështirë për tu kuptuar, por nuk ishte as e lehtë të të shkonte në mendje. Xhejms Hatëni, bujku skocez, mbahet si i pari që zbuloi forcat vigane të gërryerjes dhe që e kuptoi se ato veprojnë edhe sot ashtu siç kanë vepruar edhe në të kaluarën. Pas Hatenit, një nga detyrat më të rëndësishme të gjeologëve ishte studimi i vëmendshëm i lumenjve dhe i sjelljes së tyre.
Ndër gjeologët më të njohur që iu kushtuan studimit të lumenjve ishte edhe Xh. Pauelli. Ky natyralist udhëhoqi shumë ekspedita kërkimore në Malet Shkëmbore. Vepra e tij më e rëndësishme ishte zbritja nëpër lumin Kolorado deri në skajin perëndimor të Kanionit të Madh në Arizona. Të djegur nga dielli, të detyruar të përshkonin rrugë të gjata më këmbë nëpër kaskadat e shpejta e të rrezikshme, të penguar nga humbja e ushqimeve dhe e instrumenteve, Pauelli dhe të nëntë shokët e tij e gjetën megjithatë mënyrën për të studiuar sjelljen tepër të ndryshueshme të lumit dhe të shtretërve që kishte hapur ai gjatë mijëra vjetëve. Ata nuk kishin pasur kurrë një rast më të mirë për të vrojtuar një lumë në të gjitha aspektet e tij: i ngushtë dhe i gjerë, i thellë dhe i cekët, i shpejtë dhe i ngadalshëm, ky lumë rridhte si përmes fushave ashtu edhe nëpër gryka, përmes shkëmbinjsh të brishtë dhe shkëmbinjsh të fortë. Veç kësaj, gjatë udhëtimit të tij përmes Kanionit të Madh, Pauelli arriti të ndiqte dhe të vinte në dukje shembujt më të shkëlqyer të shkëmbinjve fundërresorë të kontinentit, dëshmitarë të historisë së Tokës për një periudhë prej një miliard vjetësh.