NJËSITË POPULLORE TË MATJES


NJËSITË POPULLORE TË MATJES
✤ Njësi për peshat, sipërfaqet, gjatësitë etj, të përdorura si masa tradicionale nga populli deri në vitet e para pas Çlirimit. Kanë qenë të ndryshme sipas periudhave historike dhe krahinave etnografike.

Për peshën masa më e vjetër dhe më e madhe ishte barra, e dëshmuar me këtë emër që në mesjetë, ose ngarkesa e kalit. Në Shqipërinë e Mesme dhe të V ishte baras me 100 okë, në J me 80 okë dhe matej me thes. Gjysma e barrës ishte ana. Masë me origjinë orientale, e përdorur në Shqipëri që në shek. XVI ishte oka. Në J përdorej oka e zakonshme prej 400 derhem (1280 gr). Në clisa vise të Shqipërisë së Mesme e V përdorej oka hak prej 450-500 derhem (deri 1500 gr). Masë tjetër për të cilën përdoreshin enë të posaçme druri ishte shiniku, që emërtohej edhe qasja, killa, sheka, baras me afër 50 kg ose me një anë. Çerekja a koshiqi kishte afër 25 kg, karroqja e babuni afër 10 kg. Për lëngjet është përdorur në tregjet mesjetare medra, baras me 4 okë dhe suburi prej 32 okë. Për sipërfaqet e tokave të punuara është përdorur ditëmbjella, afër 2500m2, aq sa mund të punonte një bujk me një pendë brenda një dite. Njihej në krahina të ndryshme me emrat yendë dhe, pendë ugar, pendë qe, plug dhe etj. Dokumentohet që në shek. XI, F. Bardhi (shih) e përmend me emrin ditëpluar. Në Shqipërinë e J gjysma e ditëmbjelljes quhej strem. Sipërfaqja e livadheve matej me kosaç, aq sa kosiste një punëtor kose në një ditë. Sipërfaqja e kullotave në Shqipërinë e J matej me vreten, baras me afër dy dynymë. Largësitë e mëdha mateshin me ditë kali udhë, afër 25-30 km. Hanet në rrugët e karvaneve ishin larg njëri-tjetrit afër një ditë kali udhë. Masa më e vogël e gjatësisë ishte përçiku ose çepiroku, sfulqia, baras me largësinë ndërmjet gishtit të madh e gishtit tregues të hapur. Përdoreshin pëllëmba, krahu, bërryli dhe pashi, që ndryshonin sipas njerëzve. Në tregjet qytetare përdorej kuti, baras me afër 70 cm. Masat ndërkombëtare kanë hyrë kryesisht midis dy luftërave botërore.

(S. Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Njësitë Popullore Të Matjes


[cite]