NORMANËT NË SHQIPËRI


NORMANËT NË SHQIPËRI
✤ (shek.XI-XIII). Me themelimin e një shteti feudal prej normanëve të zbritur në shek. XI nga Normandia e Francës, duka Robert Guiskard (1057-1085) dëboi përfundimisht bizantinët nga bazat e tyre të fundit në Itali. Me miratimin e papës Gregori VII dhe si vasal i tij, R. Guiskardi e vazhdoi luftën për t’ia nënshtruar Gadishullin Ballkanik sundimit të feudalëve perëndimorë dhe pushtetit të kishës katolike të Romës. Duke u mbështetur në një aleancë me Kroacinë dhe qytetet katolike të Dalmacisë, më 1081 një ushtri prej 30.000 vetash me 300 anije, zbarkoi në brigjet Jugore të Shqipërisë dhe pushtoi Vlorën, Kaninën, Jerikon (Orikun) dhe duke plaçkitur, arriti deri në Butrint, ku u bashkua me flotën që kishte pushtuar më parë Korfuzin. Nga toka e nga deti, normanët iu drejtuan Durrësit, duke kryer gjatë rrugës grabitje, djegie dhe shkretime. Në këto kushte popullsia vendase pranoi thirrjen e perandorit bizantin Aleks I Komneni për të luftuar krahas ushtrive bizantine kundër normanëve që rrethuan Durrësin. Forcat shqiptare nuk mundën të merrnin pjesë në betejën vendimtare për çlirimin e qytetit, sepse perandori e nisi betejën para arritjes së tyre. Sipas disa burimeve të kohës, kjo ishte edhe një nga shkaqet që ushtria bizantine u thye më 18.10.1081 në kodrat në J. të Durrësit, ndonëse më përpara flota hizantine dhe ajo e venedikasve, aleatë në këtë rast të Bizantit, patën korrur një fitore në brigjet në V të qytetit. I detyruar të tërhiqej, A. Komneni komandën e garnizonit të qytetit ia ngarkoi një funksionari të lartë shqiptar në shërbim të Bizantit. Garnizoni i qytetit i bëri ballë rrethimit deri në shkurt 1082, kur kështjella me tradhti iu dorëzua R. Guiskardit nga paria e venedikasve dhe amalfitanëve që banonin aty si tregtarë. Normanëve iu hap kështu rruga për të depërtuar thellë në Gadishullin Ballkanik, ku ata mundën të merrnin Janinën, disa qytete të Maqedonisë JP, Thesalinë dhe të arrinin deri përpara Selanikut. Përçarja në radhët e komandantëve të ushtrisë i detyroi N. të largohen përkohësisht për në Itali, ndërsa Durrësin, Vlorën e Butrintin i humbën më 1085 me vdekjen e R. Guiskardit. Pak vite pas kryqëzatës së parë më 1107, nën komandën e Boemundit, të birit të Guiskardit zbarkuan përsëri në Vlorë dhe rrethuan, por kësaj here më kot, Durrësin, duke përdorur teknikën më të përparuar të kohës për marrjen e tij. Në duart e tyre kaluan ndërkohë Petrela, qyteza e Milit në rrjedhën e 1. Devoll, Glavinica (Ballsh), Kanina dhe Jeriko, dhe atyre iu hap rruga drejt viseve të brendshme. Kësaj radhe popullsia vendase u bashkua me ta, e pakënaqur me perandorinë bizantine për shkak të taksave të rënda që u kishte ngarkuar. Me ndihmën e shqiptarëve normanët pushtuan ngushticat e Arbanonit dhe hapën rrugën për në Dibër. Kundërshtimi nga ana e bizantinëve, mungesa e ushqimeve, sëmundjet midis ushtrisë e detyruan Boemundin të hiqte dorë nga vazhdimi i luftës dhe të nënshkruante paqë me Bizantin më 1108 në qytetin Devoll. Dobësimi i mëtejshëra i Perandorisë Bizantine i hapi rrugën përsëri një sulmi të tretë më 1185, kur një ushtri e madhe normane mundi të pushtojë Durrësin pa asnjë pengesë për shkak të tradhtisë së disa funksionarëve bizantinë të qytetit. Por pak kohë më vonë, Durrësi si një nga bazat detare më të rëndësishme të Adriatikut, kaloi përsëri nën sundimin e perandorisë bizantine.

(K. Bo.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Normanët Në Shqipëri


[cite]