NOVELA
✤ Lloj i pro’zës tregimtare, zakonisht pa shtjellim të gjerë dhe me pak personazhe. Në letërsinë shqiptare nisi të lëvrohej nga fundi i Rilindjes Kombëtare. N. e para janë «1 vogli Donat Argjendi» (1904) përshtatur prej P.K.Negovanit, «Oxhaku», «E puthura» dhe «Varri i pagëzimit» (1909) të M.Gramenos. Këto vepra i shquan një frymë romantike sentimentale. Nga organizimi i lëndës dhe mënyra e rrëfimit pranë tyre qëndrojnë novelat e S.Spasses: «Nusja pa duvak» (1944). Në mënyrë tjetër janë ndërtuar novelat e Migjenit, i cili solli elemente të reja në këtë lloj letrar. Veprat e tij «Studenti në shtëpi», «Historia e njenës nga ato», «Bukën tonë të përditshme falna sot» kanë brendi të ngjeshur, episodet janë të pakta dhe të shkurtra, por me shprehësi të veçantë artistike. Pas Çlirimit N. mori zhvillim të gjerë dhe zuri vend të mirë me larmi tipash. Me N. tani kuptohet një rrëfim epik, me shtjellim më të gjerë se tregimi. Episodet të gërshetuara ngushtë midis tyre zbulojnë pjesërisht zhvillimin e karakterit të personazhit kryesor. Këto veçori shquajnë N. «Isha unë Çobo Rrapushi» (1960) dhe «Llaz Qesarati» (1969) të Sh.Musarajt etj. Është zhvilluar edhe një tip i ri N., që ka pak episode dhe një fabul të ravizuar qartë. Veprimi në to zhvillohet me shpejtësi dhe merr fund me një kthesë të papritur. Këto tipare në shkallë të ndryshme i gjejmë në disa N. të I. Kadaresë, K.Kostës, E. Kadaresë, V. Koreshit etj.

(R.B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Novela


[cite]