NUMIZMATIKA
✤ Shkencë që merret me studimin e monedhave të periudhave të kaluara, disiplinë ndihmëse e arkeologjisë. Me zhvillimin e arkeologjisë shqiptare pas Çlirimit u grumbullua një fond i pasur dhe u krijua Kabineti numizmatik në Qendrën e Kërkimeve Arkeologjike (shih). Kabineti ruan monedha që kanë qarkulluar në vendin tonë qysh nga shek.VII p.e.r. e deri në fillim të shek.XX. Vend të veçantë në koleksionin e tij zënë monedhat e prera nga qytetet ilire si Skodra, Lisi, Amantia, Bylisi, Olympia, Lihnidi, nga Lidhja Epirote, bashkësitë fisnore ilire të labeatëve, daorsëve si dhe nga mbretërit ilirë Monuni, Mytili, Genti dhe Balai. Të shumta janë edhe monedhat e prera nga qytetet Dyrrah e _ Apoloni që nga shek.V p.e.r. e deri në fillim të e.r. si edhe monedha romake republikane e perandorake. Në koleksion ka edhe disa thesare, si ai i Kreshpanit (Fiër),—që përmban monedha të mbretit ilir Monun, i Hijes së Korbit (Korçë) me monedha maqedone, i Apolonisë me monedlia republikane romake, ai i Durrësit me monedha perandorake romake, etj. Ndër monedhat e kohës bizantine vend të veçantë zë koleksioni i pasur me prerje të shek.V-VII si dhe thesaret nga Amfiteatri i Durrësit, Çernenës (Rr. Peshkopisë) i Përmetit, i Borjes (Kukës) dhe i Vërzhezhës (Skrapar), që lidhen me prerjet e perandorëve Komnenë (shek.XI-XIII). Nga mesjeta shquhen monedhat e prera nga sundimtarët feudalë shqiptarë si Balshajt e Gropajt, qytetet shqiptare Drivast, Shkodra, Ulqin, Svaç etj. Studimet në fushën e N. kanë hedhur dritë plotësuese mbi aspekte të ndryshme të jetës ekonomike e politike të vendit tonë në antikitet dhe në mesjetë.
(Sh.Gj.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Numizmatika
[cite]