OBSTETRIKË-GJINEKOLOGJIA


OBSTETRIKË-GJINEKOLOGJIA
✤ Degë të mjekësisë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën. Obstetrika studion fiziologjinë dhe patologjinë e gruas shtatzënë, si dhe mjetet e mënyrat e përshtatshme për të ndihmuar e lehtësuar lindjen e fëmijës. Gjinekologjia studion organizmin e femrës si nënë, ndërtimin, veprimtarinë dhe patologjinë e gruas si edhe sëmundjet që e kanë zanafillën në aparatin gjinor të saj. Para Çlirimit shërbimi i O.-Gj. në Shqipëri zakonisht kryhej nga babot (gra me pervojë që ndihmonin gjatë lindjes) dhe rrallë nga kirurgë të përgjithshëm. Në gjithë vendin kishte vetëm 3 obstetër-gjinekologë. Pas Çlirimit u krijua shërbimi i O-GJ. në të gjitha qytetet dhe pak nga pak u shtri në të gjitha fshatrat (shih shtëpitë e lindjes); krahas zgjerimit të shpejtë të tij u përgatit kuadri i mesëm i kualifikuar. Kurset e para për infermieremami, u hapën më 1947, dhe me hapjen e Politeknikumit Mjekësor u krijua dega për mami. Pranë Fakultetit të Mjekësisë më 1957 u hap katedra e O.-GJ., e cila merret me përgatitjen dhe kualifikimin e kuadrit të lartë obstetër-gjinekolog dhe drejton punën në klinikat universitare. Më 1982 kishte 157 mjekë specialistë obstetër-gjinekologë. Ndihmesë në këtë degë, me veprimtarinë e tyre kanë dhënë Koço Gliozheni, Ilir Gjylbegu etj.

(K. Gl.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Obstetrikë-Gjinekologjia


[cite]