ODA E MIQVE


ODA E MIQVE
✤ Mjedisi më paraqitës në banesën tradicionale shqiptare, ku priteshin miqtë sidomos në rastet e ngjarjeve e të ceremonive familjare. Zë vendin më të mirë në kompozimin e banesës dhe dallohet nga pajisjet e trajtimi i pasur dekorativ. Në banesën qytetare në shek. XVIII kristalizohet kompozimi i saj me musandër-trapazan në pjesën fundore dhe me ballin. Vend qendror ka oxhaku në banesën fshatare, i cili shpesh është vetëm dekorativ në atë qytetare. Gdhendjet në dru në pjesë si tavanë, dollapët e murit, musandrat, dyert etj, zbukurimi i oxhakut, dhe në disa raste pikturimi i mureve i japin O. së M. vlera të veçanta estetike. Janë të përmendura për zbukurimet në dru veçanërisht banesat në Shkodër, në Berat, në Gjirokastër, në Prizren, në Gjakovë dhe në Elbasan. Lindja e marrëdhënieve kapitaliste shënon fillimin e rënies së zbukurimores në O. e M. Futja e mobiljeve solli ndryshime të mëdha, O. e M. thjeshtohet dhe dora-dorës zhvishet nga punimet dekorative.

(E. R.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Oda E Miqve


[cite]