OFIOLITET
✤ Bashkëshoqërim shkëmbinjsh magmatikë, që formojnë të ashtuquajturin vargan ofiolitik, në përbërjen e të cilit marrin pjesë shkëmbinj intruzivë ultrabazikë, bazikë, mesatarë-acidë dhe shkëmbinj vullkanogjenë bazikë, bazikë-mesatarë dhe mesatarë. Në Shqipëri O. janë shumë të përhapur, përfaqësohen nga tërë llojet e shkëmbinjve dhe përbëjnë një shembull klasik për të gjithë trevën e rrudhosur alpine mesdhetare, që është edhe treva më e njohur e përhapjes së tyre. Zënë një sipërfaqe prej rreth 4250 km2 në Zonën e Mirditës (shih) dhe kufizohen me formacionin efuzivo-sedimentar jurasik. O. e Shqipërisë janë mjaft të rrudhosur, kanë trashësi të madhe deri në 10-14 km në pjesën L dhe më të vogël, deri në 1-2 km në pjesën P të zonës së Mirditës. Janë formuar në trevën oqeanike të Tetisit dhe kanë dalë e kanë filluar të zënë vend në sipërfaqe nga fundi i jurasikut, duke u zhvendosur dora-dorës drejt P mbi trevën me kore kontinentale. Në shkëmbinjtë e O. të Shqipërisë gjenden përqendrime e vendburime të rëndësishme të xëherorëve të kromit, bakrit, hekurit, nikelit, titanit, zinkut, metaleve të çmuara, si dhe asbest, magnezit, lëndë zjarrduruese etj.
(K. Gj.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Ofiolitet
[cite]