OLIGOCENI


OLIGOCENI
✤ Epoka e fundit e periudhës paleogjenike ose e paleogjenit (shih) e përfshirë ndërmjet eocenit dhe miocenit (shih) që ka zgjatur rreth 12 milionë vjet (nga para 38 milionë deri në para 26 milionë vjet) dhe gjatë së cilës janë formuar shkëmbinjtë, që përbëjnë seksionin oligocenik. Ndahet në katet (shekujt gjeologjikë): sanuazian, stampian dhe hatian.

Në Albanidet, si në tërë trevën mesdhetare, gjatë O. ndodhi ftohja e herëpashershme e klimës. U zhvilluan drurët gjetherënës, u përhapën shumë gjitarët, u shfaqën majmunët. Në dete vazhdoi zhvillimi i foraminifereve të mëdha dhe i koraleve. O. ishte koha e lëvizjeve të mëdha tektonike të ciklit malformues alpin, që sollën në Albanidet ngritjen e mëtejshme dhe zhvendosjen tektonike kah JP e zohave të dala mbi ujë qysh në eocen, si dhe rrudhosjen dhe kthimin në stere të Zonës së Krujës (shih). Nga ana tjetër, deti, që kishte filluar të mbulonte një pjesë të Ultësirës së brendshme të Zonës së Mirditës qysh në eocen, përparoi drejt VP. Në këtë det të brendshëm u formua një shtresnajë e trashë shkëmbinjsh të molasës, herë-herë në kushte kënetore, me shtresa qymyri (Korçë, Mokër), me stome koralesh dhe me guaska të shumta të fosilizuara butakësh (Arca albanica etj.) Ndërkohë, në detin e hapur që mbulonte pjesën P të Albanideve, vazhdoi formimi i flishit në Zonën Jonike dhe i gëlqerorëve biogjenë në Zonën e Sazanit. (A. P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Oligoceni


[cite]