Olimbi Mulla
shqiptar ortodoks Olimbi Mulla ka lindur në Berat më 1904. Pasi kreu shkollën e vashave në Kostandinopojë më 1923 kthehet në Korçë, ku u emërua nëndrejtoreshë e shkollës së vashave. Olimbia ka përkthyer në gjuhën shqipe disa libra shpirtërorë. Ndonëse i kishte në dorëshkrim, fletorja e saj kalonte dorë më dorë midis besimtarëve ortodoksë. Libri që e tërhiqte më tepër ishte “Paravolitë e Zotit” shkruar prej Arkimandrit Serafim Papakostës. Këtë libër Olimbija e përktheu në gjuhën shqipe. Duke parë cilësitë e saj besimtarët e zgjodhën anëtare të dhimogjerondisë së Korçës. Më 1945 Olimbia themeloi shoqatën “Në mbrojtje të nënave dhe të fëmijëve”, riorganizoi martenitetin e Korçës dhe çeli një jetimore. Gjatë viteve të përndjekjes ateiste (1967-1990) shtëpia e saj u vu në dispozicion të besimtarëve, të cilët në fsheftësi lexonin libra shpirtërorë dhe përkthimet e Olimbisë.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)