OPERACIONI I FASHISTËVE ITALIANË NË ZONËN SHPIRAG-MALLAKASTËR-TEPELENË


OPERACIONI I FASHISTËVE ITALIANË NË ZONËN SHPIRAG-MALLAKASTËR-TEPELENË
✤ (qershor 1943). Një nga operacionet më të mëdha që ndërmorën fashistët italianë gjatë verës së vitit 1943. Armiku hodhi 10 batalione (këmbësorë, kalorës, milicë fashistë) të Korparmatës IV dhe një grup karabinierësh, gjithsej rreth 10.000 forca të shoqëruara me artileri e tanke dhe të mbështetura nga aviacioni, nën drejtimin e komandantit të Korparmatës IV. Me anë të këtij operacioni armiku synonte të asgjësonte forcat partizane në këto zona dhe të ndëshkonte popullsinë e këtyre bazave partizane. Forcat partizane nga qarlcu i Beratit, Vlorës e Gjirokastrës arrinin gati 2000 veta. Nga data 25-30 qershor armiku zhvilloi disa sulme në drejtimet Shpirag, Mallakastër dhe Tepelenë, por me gjithë përpjekjet e shumta, ai nuk mundi të shkelte krahinat që sulmoi. Përballë qëndresës së organizuar e vepruese të forcave kryengritëse operacioni armik dështoi, _me humbje të rënda për të. Armiku pasi la në fushën e luftës 200 të vrarë dhe 70 robër, u tërlioq në bazat e nisjes, Berat, Fier, Tepelenë. Nga partizanët dhe vullnetarët në fushën e betejës ranë 11 dëshmorë.

(M. 11.)

✤ (14-25.7.1943). Fashistët italianë ndërmorën një operacion të dytë në këtë zonë, pas përgatitjeve të mëdha. Në një zonë prej gati 500 km2 armiku përqendroi rreth 20.000 ushtarë të D «Firence» e «Parma» me rreth 400 gryka zjarri, që mbështeteshin nga reparte të milicisë fashiste shqiptare dhe nga çetat balliste të Mallakastrës, me qëllim që të shkatërronte forcat partizane dhe të rivendoste pushtetin e reaksionit në këto zona. Ky ishte operacioni më i madh i organizuar gjer atëherë nga pushtuesit fashistë italianë. Ai u përballua nga rreth 2000 partizanë e vullnetarë të zonës, që drejtoheshin nga një shtab operativ. Operacioni nisi më 14 korrik me sulmin nga drejtimi kryesor, Berati, por si ky ashtu edhe sulmi i forcave të D «Parma» nga drejtimi i Selenicës (Vlorë), më 16 korrik, nuk patën sukses. Ndërsa nga drejtimi i Roskovecit armiku mundi të depërtonte dhe epërsia e tij e madhe në numër e teknikë e bëri të pamundur qëndresën e gjatë të partizanëve. Fashistët e shkelën Mallakastrën dhe vazhduan operacionin në drejtim të Tepelenës. Më 25 korrik operacioni armik përfundoi duke u quajtur i realizuar prej tij, por në fakt ai qe një tjetër dështim i pushtuesve italianë, sepse nuk plotësoi dot asnjë nga objektivat e caktuara. Në përfundim të operacionit armiqtë patën disa qindra të vrarë e të plagosur dhe lanë në duart e partizanëve shumë material ushtarak. Armiku në këtë operacion ushtroi një terror të egër ndaj popullsisë vendase. Fashistët dogjën 78 fshatra, grabitën bagëtinë e pasurinë tjetër dhe vranë qindra fshatarë. Disa ditë pas mbarimit të operacionit armik, në zonë u rikthyen forcat partizane dhe vullnetare dhe përsëri nisi të ushtrojë funksionet e veta pushteti i këshillave nacionalçlirimtarë.

(P. Ha.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Operacioni I Fashistëve Italianë Në Zonën Shpirag-Mallakastër-Tepelenë


[cite]