ORENDITË SHTËPIAKE TRADICIONALE


ORENDITË SHTËPIAKE TRADICIONALE
✤ Pajisjet për nevojat e përditshme në banesën popullore shqiptare kanë qenë të ndryshme: orendi të vatrës, të gatimit, të ngrënies, të fjetjes, të ndejtjes, të mbajtjes së plaçkave, të ndriçimit etj. Një pjesë e O.SH.T., veçanërisht ato prej druri, prej dheu, punimet e tekstilit etj, janë punuar brenda ekonomisë shtëpiake. Më të përdorura kanë qenë orenditë prej druri, si shkambat, frone prej druri zakonisht me tri këmbë, karriget prej dërrase me katër këmbë me mbështetëse për shpinën dhe për duart (si të Dukagjinit, të Malësisë së Madhe, të Pukës, të Mirditës etj), karriget me thurje (më tepër në Shqipërinë e Jugut), minderet, arkat (sëndukët) e ndryshme, musandrat etj. Ato kishin forma origjinale, zbukuroheshin me motive gjeometrike, bimore, herë-herë edhe zoomorfe. Punimet e leshit (velenxat, qilimat, dyshekët, plafet, etj.) kanë qenë mjaft të përmendura dhe i punonin të gjitha gratë. Zbukuroheshin me motive gjeometrike, bimore dhe zoomorfe. Ishin të përmendura më tepër Korça, Luma (Kukës) dhe krahina e Labërisë. Me ndryshimet e mëdha pas Çlirimit në mënyrën e jetesës, një pjesë e O.SH.T. kanë ardhur duke u mënjanuar nga përdorimi. Mjaft O.SH.T. me vlera për kulturën popullore ruhen në muzetë etnografikë.

(A. Do.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Orenditë Shtëpiake Tradicionale


[cite]