PËRMIRËSIMI GJENETIK
✤ (I BIMËVE DHE I KAFSHËVE). Degë e shkencës që merret me krijimin e kultivarëve e hibrideve të reja të bimëve, e racave të reja të kafshëve, si dhe e përmirësimit të atyre ekzistuese. Baza teorike e saj është gjenetika. Duke zbatuar metoda shkencore arrihet të ndryshohet trashëgimia. P. Gj. i bimëve dhe i kafshëve si veprimtari shkeneore në Shqipëri ka filluar pas Çlirimit.
P. Gj. i bimëve arrihet nëpërmjet disa hallkave kryesore që janë: mbledhja, koleksionimi dhe studimi i materialit fillestar; puna me metodat përmirësuese gjenetike për krijimin e kultivarëve të rinj, vlerësimi me metoda laboratorike e fushore i kultivarëve dhe hibrideve të reja dhe shumëzimi i farërave të tyre. Qëllimi i tij është rritja e prodhimtarisë, përmirësimi i cilësive, rritja e qëndrueshmërisë ndaj sëmundjeve e dëmtuesve etj. Metodat kryesore të P. Gj. të bimëve janë: zgjedhja, heterozisi, rikryqëzimi, hibridizimi i largët, mutacionet, poliploidia etj. Në vendin tonë me P. Gj. merren Instituti i Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë, i Misrit dhe Orizit në Shkodër, i Perimeve dhe Patates në Tiranë, i Foragjereve në Fushë-Krujë, i Duhanit, i Frutikulturës, disa katedra të fakultetit të Agronomisë të Institutit të Lartë Bujqësor në Tiranë, Stacioni i panxharsheqerit etj. Si rrjedhojë janë krijuar koleksione të gjera kultivarësh dhe linjash, një sërë hibridesh misri e duhani me të cilat mbillet gjithë sipërfaqja e vendit, disa kultivarë të rinj gruri, pambuku etj. P. Gj. i kafshëve arrihet nëpërmjet inbridingut, krijimit të linjave nga kafshët rekordiste, topkrosi, kryqëzimit thithës, ai riprodhues, mbarështimit racëpastër dhe kryqëzimit industrial, i cili shfrytëzon dukurinë e heterozisit. Nëpërmjet P. Gj. të kafshëve përftohen tregues të lartë racorë dhe të prodhimtarisë. Për këtë një rol me rëndësi ka luajtur edhe përdorimi i ndërzimit artificial. Me P. Gj. të kafshëve merren Instituti i Kërkimeve Zooteknike me stacionet e tij vartëse, disa katedra të fakultetit të Veterinarisë si dhe .mjaft ekonomi racore për gjedhë, derra, shpendë, për bagëtitë e imëta etj. Seleksionimi i kafshëve bujqësore shërben për të përmirësuar racat ekzistuese dhe për të krijuar raca të reja. Dy forma kryesore janë seleksionimi fenotipik dhe gjenotipik. Seleksionimi fenotipik bëhet duke i zgjedhur kafshët sipas tipareve individuale, pa marrë parasysh aftësitë trasliëguese të individëve të zgjedhur. S. gjenotipik bëhet duke zgjedhur individët që kanë aftësinë të transmetojnë tiparet e mira në pasardhësit.
Janë krijuar ekonomitë racore që prodhojnë dhe shpërndajnë material racor në të gjithë vendin. Në tufat e zgjedhura racore merren prodhime të nivelit të përparuar botëror.
(L.Xh.—R.F.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Përmirësimi Gjenetik