PARTIA POLITIKE KOMBËTARE


PARTIA POLITIKE KOMBËTARE
✤ Organizatë atdhetare e themeluar në vitin 1917 në Uoçester (SHBA), në gjirin e mërgimtarëve ekonomikë shqiptarë të atjeshëm. Vazhdoi të vepronte deri në mesin e vitit 1920. Kryetarët e P.P.K. qenë Sevasti Qirias Dako (shih) dhe Kristo Daho. U shpreh me forcë për ruajtjen e pavarësisë së shtetit shqiptar, për mbrojtjen e tërësisë së tij territoriale dhe për rishikimin e kufijve në favor të këtij shteti.

Në shkurt 1918 P. P. K. botoi gazetën «Albania-Shqipëria» (shih). Anëtarët më të përgatitur të P. P. K. zhvilluan një varg konferencash në qytete të ndryshme të SHBA e botuan një tok artikujsh. P. P. K. u dërgoi Fuqive të Mëdha një varg memorandumesh e protestash.

P. P. K. e caktoi Ismail Qemalin (që ndodhej në mërgim në Evropë) si përfaqësuesin e saj në Konferencën e Paqes, ku pritej të shqyrtohej edhe çështja shqiptare. Me vdekjen e I.Qemalit, në janar 1919, ajo dërgoi në këtë Konferencë Parashqevi Qiriazin dhe Mihal Gramenon. Këta formuan atje një front të përbashkët me përfaqësitë e kolonive të tjera shqiptare: të Turqisë, të Rumanisë dhe të organizatës «Vatra» (shih) të SHBA dhe iu kundërvunë qëndrimit kapitullues ndaj imperializmit italian të delegacionit të Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, kontribuan në demaskimin e planeve antishqiptare të Italisë e rrjedhimisht në rritj’en e lëvizjes antiimperialiste të popullit shqiptar.

(M.Ç.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Partia Politike Kombëtare


[cite]