PARTIZANËT


PARTIZANËT
✤ Luftëtarë vullnetarë popullorë që rrëmbejnë armët për të luftuar kundër pushtuesve për çlirimin e atdheut. P. dhe lufta partizane janë shprehje e hakmarrjes dhe e vendosmërisë popuilore kundër shtypjes, shfrytëzimit, përndjekjeve e padrejtësive që ushtrojnë pushtuesit e huaj. Një zhvillim të madh, të organizuar dhe me karakter të thellë revolucionar mori lëvizja partizane gjatë Luftës II Botërore, kur në krye të saj, u vunë partitë komuniste. P. në Shqipëri ishin bij të popullit, punëtorë, fshatarë, intelektualë atdhetarë, të rinj e të reja, burra e gra, që u dhimbsej çështja e çlirimit të atdheut, që nuk duronin shtypjen e shfrytëzimin e pushtuesve fashistë dhe që iu përgjigjën thirrjes së Partisë Komuniste Shqiptare për të rrëmbyer armët e për të luftuar deri në çlirimin e plotë të atdheut. UNÇSH e popullit shqiptar ishte një ushtri partizane. Në prag të Çlirimit të Atdheut kishte rreth 70.000 partizanë, nga të cilët 6000 shoqe. P. me gjakun e tyre shkruan epopenë e shkëlqyer të popullit shqiptar, Luftën e madhe Antifashiste Naeionalçlirimtare, vunë themelet e shëndosha të pushtetit popullor dhe të Shqipërisë së re popullore e socialiste.

(Dh.J.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Partizanët


[cite]