Pasojat e Tanzimatit në Shqipëri
Qëndresa kundërosmane e popullsisë shqiptare, megjithëse nuk pati shtrirjen e kryengritjeve të dhjetëvjeçarëve të mëparshëm, nuk reshti as në vitet 50-60 të shek. XIX. Reformat që sulltani shpalli me Dekretin perandorak (Hat-i Humajun) të 18 shkurtit 1856, që shënoi fillimin e periudhës së dytë të Tanzimatit, nuk e përmirësuan gjendjen e popullsisë shqiptare dhe si rrjedhim nuk zhdukën truallin për shpërthimin e kryengritjeve të reja. Dekreti i ri ishte vazhdim i reformave të Aktit të Gjylhanesë (viti 1839), të cilat nuk arritën të viheshin në jetë. Ai shpalli përsëri barazinë e të gjithë shtetasve osmanë, myslimanë e të krishterë, sigurimin për të gjithë, pa dallim feje, të paprekshmërisë së personit, të nderit e të pasurisë; vendosi të formonte gjyqe të hapura, të ndalonte konfiskimin e pasurisë së të paditurve; të krijonte gjykata të përziera, të fuste të krishterët në këshillat administrative, në shërbimin shtetëror e në shkolla ushtarake; shpalli barazinë e shtetasve në pagesat e taksave, krijimin e buxhetit shtetëror, të sistemit bankar etj.Zbatimi i këtyre reformave, të deklaruara me kërkesën e Fuqive të Mëdha, do të sillte ndryshime në jetën politiko-shoqërore të Perandorisë Osmane duke e afruar sistemin e saj shtetëror me atë të vendeve të Evropës. Por kjo Perandori, që mbeti në thelb një shtet me një regjim absolutist e teokratik të prapambetur dhe me një ekonomi gjysmëfeudale, nuk ishte në gjendje t’i vinte në jetë ato. Përveç masave për riorganizimin e administrimit të vendit dhe të ushtrisë, reformat e tjera mbetën në letër, ashtu si ato të 1839-ës. Kështu, megjithëse parashikonin trajtimin e barabartë të shtetasve, ato nuk sollën ndonjë përmirësim thelbësor në gjendjen e tyre, nuk siguruan barazinë e shpallur me bujë dhe nuk u dhanë të drejtat më elementare as shqiptarëve si komb, as edhe popujve të tjerë joturq. Ndryshime u bënë në përmirësimin e legjislacionit osman, që filloi të hartohej sipas shembullit të atij francez, si edhe në administrimin e vendit. Por ligjet e miratuara vijuan të mos zbatoheshin, ndërsa reforma në administratë synonte të forconte pushtetin e centralizuar osman mbi popujt e robëruar. Përveç kësaj, zbatimi i reformave u shoqërua, ashtu si në vitet 30-40 me rritjen e taksave dhe me vendosjen e detyrimeve të reja, që rëndonin sidomos mbi fshatarësinë dhe mbi vegjëlinë e qyteteve.
Rrjedhojat e reformave të reja u ndjenë edhe në Shqipëri. Prej mesit të viteve 50 dhe në vitet 60 u përforcua edhe më tej administrata e re dhe masat e saj shtypëse në trevat e ndryshme të vendit. Ndarja e re administrative e vitit 1864 në vilajete, si njësi më të vogla se ato të mëparshmet, e theksoi centralizimin e pushtetit osman. Në krye të nëndarjeve të vilajeteve, të sanxhakëve (prefekturave), të kazave (nënprefekturave) dhe të nahijeve (komunave) qëndronin tani nëpunës civilë të dërguar nga qendra, në shumicën e rasteve turq. Centralizimi burokratik i administratës nuk zbutej edhe pse, për të përmbushur premtimet e dekretit të ri perandorak të vitit 1856, Porta ishte e detyruar të krijonte pranë organeve lokale këshillat administrativë, të cilët mbetën krejtësisht formalë. Në një varg qytetesh qeveritarët osmanë nuk i pranonin fare të krishterët në mbledhjet e këshillave administrativë.
Porta e Lartë u përpoq të vinte nën kontrollin e drejtpërdrejtë të administratës së re edhe krahinat malore të Veriut. Si hallkë të ndërmjetme, në fund të viteve 50, Porta krijoi pranë valiut të Shkodrës një komision të Xhibalit (Malësisë), në të cilin u emëruan si anëtarë me rrogë përfaqësues nga secili prej 26 bajrakëve të vilajetit të Shkodrës. Si anëtarë të komisionit Porta caktoi edhe 26 bylykbashë nga paria feudale turkomane e Shkodrës, të cilët do të shërbenin si komisarë qeveritarë për bajrakët. Me anë të këtij komisioni qeveria shpresonte të kufizonte autonominë e zonave malore. Edhe pse veprimtaria e komisionit të Xhibalit u përqendrua në qytetin e Shkodrës dhe çdo orvatje për ta zgjeruar atë hasi në qëndresë të armatosur, qeveritarët osmanë bënë presion të vazhdueshëm mbi Malësinë duke e ngushtuar pak nga pak autonominë e saj.
Synimi kryesor i administratës së re turke ishte të siguronte pagesën e taksave dhe mbledhjen e rekrutëve nga të gjitha krahinat. Për të përballuar shpenzimet e mëdha që kërkonte mbajtja në këmbë e aparatit burokratik e ushtarak, për të vënë në vend të ardhurat fiskale të pakësuara me humbjet tokësore që kishte pësuar dhe, më në fund, për të paguar kamatat e huave ndërkombëtare, Stambollit nuk i mbetej tjetër rrugë veç asaj të shtrëngimit të darës së taksave. Kështu, shuma e taksave të nxjerra nga popullsia e Perandorisë, e cila më 1850 kishte qenë 2,5 milionë lira ari, më 1860 arriti në katër milionë dhe vijonte të rritej. Ministria e Financave, në caktimin e shumës së taksave që do të nxirreshin nga popullsia, nuk nisej nga gjendja e numri i kontribuesve, por nga nevojat e veta. Shtoheshin llojet e taksave, por rritej sidomos shuma e kërkuar. Veçanërisht e dëmshme ishte mënyra e nxjerrjes së taksave me anën e iltizamit. Me shitjen dhe rishitjen në ankand të së drejtës së mbledhjes së taksave myltezimëve më të vegjël, e dhjeta arrinte deri në një të pestën e prodhimit. Ajo vinte vazhdimisht duke u shtuar, për arsye se çdo vit për ofertat e blerjes merrej zakonisht si pikënisje maksimumi i arritur në vitet e kaluara.
Taksa e vergjisë, që paguhej për pasurinë e patundshme (shtëpi, kopshte, dyqane) dhe për disa kategori të caktuara të ardhurash, shtohej gjithashtu vazhdimisht. Më 1863, në sanxhakun e Ohrit, që përfshinte edhe një pjesë të Shqipërisë Juglindore, vergjia u shtua në krahasim me vitin e mëparshëm nga 350 000 në 420 000 groshë, domethënë 20 për qind.
Taksa e veçantë që paguanin të krishterët meshkuj prej 12 deri 60 vjeç për zëvendësimin e shërbimit ushtarak (bedel-i askerie) në qytetin e Shkodrës u shtua nga 45 000 groshë që ishte në vitet 30, në 100 000 më 1856.
Për të rritur të ardhurat, Porta përqendroi në duart e veta në formë monopolesh shtetërore tregtinë e një vargu artikujsh të përdorimit të përditshëm, siç ishin kripa, plumbi, duhani, baruti dhe peshku, duke i ngarkuar ato me taksa të veçanta.
Përveç taksave shtetërore, popullsia e qyteteve paguante edhe një varg taksash komunale, si taksën e peshimit në treg, taksën policore etj. Më në fund rëndonte mbi gjithë meshkujt (prej 16 deri në 60 vjeç), taksa e rrugës, detyrimi për katër ditë pune angari në vit bashkë me kafshët e punës, detyrim që kryhej edhe në viset më të largëta.
Shtimi i tatimeve, ngarkimi i çdo veprimtarie ekonomike me taksa të reja etj., e ngritën në vitet 1850-1870 koston e jetesës në mënyrë shumë të ndjeshme. Në këtë ndikoi edhe zhvleftësimi i vazhdueshëm i monedhës turke, e cila ra deri në 40-50 për qind të vlerës së saj, meqenëse qeveria nxirrte bankënota (kamje) pa pasur mbulesën e duhur në ar.
Pjesa më e madhe e shumave që nxirreshin nga Shqipëria dhe nga provincat e tjera shkonin në Stamboll për të kënaqur lakmitë e tepruara për të holla të sulltan Abdyl Azizit (1861-1876) dhe të oborrtarëve të tij. Por edhe kërkesat për të holla të funksionarëve të lartë të Portës në provinca nuk ishin të pakta. Ata i kënaqnin lakmitë me abuzime të drejtpërdrejta ose duke marrë pjesë si ortakë në spekulime. Këto abuzime nxiteshin edhe nga praktika e Portës, e cila me qëllim i ndërronte shpesh funksionarët e saj në provinca, sepse caktimi në funksionet e larta bëhej me anë “peshqeshesh” në të holla për sulltanin. Qeveritarit të një province, zakonisht, nuk i mjaftonin as dy vjet për të nxjerrë shpenzimet e këtij “peshqeshi” dhe për të rregulluar financat e veta; nga ana tjetër, ai ishte i detyruar të nxirrte shuma sa më të mëdha taksash nga provinca e tij për të ruajtur favorin e sulltanit. Prandaj ardhja e çdo funksionari të ri shënonte një katastrofë për provincën. Nga ndërrimet e funksionarëve të lartë e pësoi në mënyrë të veçantë vilajeti i Shkodrës, ku brenda 40 vjetëve (1831-1871) u emëruan 52 valinj.
Vilajeti i Janinës, që përfshinte, ndër të tjera, gjithë Shqipërinë e Jugut (me përjashtim të rrethit të Korçës e të Pogradecit), në vitet 60 paguante rreth 22 milionë groshë, nga të cilët shkonin në Stamboll më shumë se gjysma. Në fillim të viteve 70, shuma që paguante kjo krahinë kishte arritur në afër 30 milionë, nga të cilët dy të tretat shkonin në Stamboll.
Dërgimin në Stamboll të shumave të mëdha, që nxirreshin nga provincat, autoritetet osmane e motivonin me nevojën për të mëkëmbur një aparat shtetëror modern, për ndërtim rrugësh, për sigurimin e “rendit dhe të qetësisë” etj. Në të vërtetë vendi ishte mbushur me banda kusarësh, krerët e të cilëve binin shpeshherë në marrëveshje me vetë qeveritarët osmanë dhe feudalët vendas. Plaçkitjet e vrasjet ishin diçka e zakonshme jo vetëm në fshatra, por edhe në qytete e sidomos e pësonte popullsia e krishtere. Vetëm një pjesë e borgjezisë së pasur kishte mundësi t’u shpëtonte këtyre përdhunimeve, duke siguruar me pagesë “mbrojtjen” nga ana e konsullatës së ndonjë shteti evropian ose nga vetë kusarët. Edhe ajo pjesë e taksave që mbetej në vend nuk përdorej për qëllime prodhuese por, para së gjithash, për mbajtjen e aparatit parazitar burokratik.
Shfrytëzimi i egër feudal, shtypja dhe abuzimet e administratës së re, e keqësuan në kulm gjendjen ekonomike të popullsisë. Udhëtarë të huaj, që kanë kaluar nëpër Shqipëri gjatë viteve 1860-1875, kanë vënë në dukje se mjerimi i fshatarësisë në disa krahina ishte aq i madh, saqë, siç thoshte konsulli rus Trojanovski, “prindërit i çojnë fëmijët e tyre në pazar për t’i shitur. Edhe familje që kanë qenë dikur mirë, kanë rënë në gjendje lypësish”. “S’është aspak për t’u çuditur, – shkruante Jonin, një tjetër diplomat rus, – përse fshatari i mjerë, duke jetuar në një gjendje të tillë, humbi çdo shije dhe dëshirë për punë…”. Në këto kushte u rrit zemërimi e urrejtja kundër sundimtarëve osmanë dhe feudalëve turq, që thirreshin me emrin përbuzës “halldupë” (të trashë, të pangopur) ose “konjarë” (nga qyteti Konja i Anadollit, me kuptimin “njerëz të këqinj”).
Fshatarë të veçuar rrëmbenin armët, dilnin maleve dhe përpiqeshin të hakmerreshin kundër shtypjes së rëndë nga ana e organeve shtetërore. Lëvizja e “kaçakëve”, si shprehje e protestës shoqërore e kombëtare që njihej qysh shumë kohë përpara, mori përpjesëtime më të mëdha. Një shprehje të kësaj ndjenje të përgjithshme e jepte në vitin 1865 dervishi bektashi Ali me anë të një vjershe, e cila është një dëshmi e gjallë e patriotizmit popullor të kësaj kohe:
… Ky halldupi, ky konjari, bukën tonë po na ha, / Xhveshur, zbathur na ka lënë, lakuriq pa një para. / Gjithë halldupët pashallarë, të mëdhenj e si të zotë. / Shqipëtari s’ka të mbajë asnjë feste më kokë. / Gjynah, pra, nga perëndija të punojë shqipëtari / Dhe të hajë e të pijë e të bëjë rehat konjari …
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare