Planeti ynë

Ndër të gjithë planetët e sistemit tonë diellor, Toka mbahet si më i larmishmi, më i ndryshueshmi dhe më i bukuri.

Disa planetë të sistemit diellor kanë atmosferë dhe, si rrjedhim edhe disa dukuri që lidhen me të. Por askush nuk duhet të mendojë se pamjet në tokat e këtyre planetëve janë të njëjta: qiejt e kaltër të zënë aty-këtu me re, agimet dhe perëndimet flakëruese, ylberet, rrufetë, furtunat e dëborës në male; asnjë planet tjetër nuk paraqet në mënyrë të dukshme pamje vargmalesh, akullnaja të gjera dhe lumenj të rrëmbyeshëm. Në Mars vërehen sipërfaqe të shkreta dhe stuhi rëre që janë të ngjashme me ato të shkretëtirës së Saharasë; por vetëm Toka ka liqene që shkëlqejnë nën rrezet e diellit dhe peizazhe me një gjelbërim të bukur. Mund të mendohet që planeti Afërdita, i fshehur ndërmjet resh të përjetshme? të ketë lugina të gërryera nga ujërat dhe plazhe të gjera buzë detit? Mërkuri mund të ketë vullkane, ndërsa njolla e madhe e kuqe ndërmjet reve të dendura të Jupiterit mund të jetë një zonë me nxehtësi të madhe; por, me gjithë këto përjashtime, vullkanet, gejzeret dhe burimet e ngrohta janë dukuri thjesht tokësore.

Gërryerja e luginave nga lumenjtë, shpimi i kores së Tokës nga ujërat nëntokësore, shfaqja e gurrave dhe e kënetave ndoshta mund të soditen vetëm në planetin tonë. Dhe pasuritë e saj minerare, që varen nga kushtet atmosferike dhe nga natyra e shkëmbinjve prej nga rrjedhin, janë, ndoshta, të pashoqe. Jemi pothuaj të sigurt se, me përjashtim të Afërditës, për të cilën mund të dyshohet, vetëm Toka, falë klimës së saj të butë, ka prurje të mjaftueshme uji. Dhe është uji në gjendjen e tij të lëngët ai që bën të mundur jetën për të gjithë organizmat e gjallë dhe është uji e akulli që, më shumë se çdo faktor tjetër, veprojnë në mënyrë të vazhdueshme mbi sipërfaqen e Tokës. duke e brejtur atë.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]