PLEQËSIA


PLEQËSIA
✤ (Këshilli i krerëve). Organi më i iartë ekzekutiv e gjyqësor i sistemit fisnor e fshatar, ku marrëdhëniet shoqërore rregulloheshin sipas normave të së drejtës zakonore. Përbëhej nga kreu i fisit, krerët e vëllezërive si edhe nga burra të urtë të fisit e fshatit që i njihnin mirë normat e së drejtës zakonore. Kryesohej nga kreu i fisit (përkatësisht i vëllezërisë dhe fshatit), të drejtat e të cilit ishin të barabarta me ato të anëtarëve të tjerë.

P. kishte këto kompetenca: të thërriste në mbledhje kuvendin e fisit (vëllezërisë a fshatit) e të përgatiste rendin e ditës, pasi shqyrtonte vetë paraprakisht çështjet që do të diskutoheshin; të kujdesej për ruajtjen e rendit, të qetësisë publike dhe për respektimin e normave të së drejtës zakonore; të zgjidhte konflikte të ndryshme në mes të fiseve, vëllezërive ose individëve; të pajtonte gjaqet etj. Si rrjedhojë e prirjes së krerëve të pasur për të kontrolluar të gjithë jetën fisnore, roli dhe kompetencat e P. shkuan duke u zgjeruar.

(Xh.Z.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Pleqësia


[cite]