POÇERIA


POÇERIA
✤ Mjeshtëria e punimit të enëve prej balte. Në Shqipëri kjo traditë zë fill që në neolitin e hershëm, në shek. VI p.e.r. njihej dhe çarku i poçarit. Lulëzimin më të madh kjo mjeshtëri e arriti në gjysmën e parë të shek. XIX. Pas kësaj periudhe vendin e enëve prej balte dalëngadalë filluan ta zënë enët e fabrikuara. Në fillim të shek. XX ishin të njohura për P. fshatrat German (Mat), Gojan (Pukë), Farkë (Tiranë), Bradvicë (Korçë), si dhe qyteti i Kavajës. Një pjesë e këtyre qendrave merreshin më shumë me punimin e enëve të zjarrit, kurse një pjesë tjetër me punimin e enëve të ujit, të bulmetit e të ngrënies. Në German u ruajtën deri në fillim të shek. tonë gjurmë të një teknike mjaft primitive, punimi i enëve bëhej pa çark dhe mjeshtëria ushtrohej vetëm nga gratë. Në Gojan dhe Farkë mjeshtrit kanë përdorur çarkun e poçarit që vërtitej me dorë. Në qendrat poçare të fshatit Bradvicë dhe në atë të qytetit të Kavajës, është përdorur çarku i vërtitur me këmbë, si dhe zmaltimi (glazurimi) i një pjese të madhe enësh dhe zbukurimet me ngjyra. Pas Çlirimit është ngritur ind. e qeramikës (shih) dhe traditat popullore të P. janë pasuruar sidomos në prodhimin e qeramikës artistike (shih).

(A.O.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Poçeria


[cite]