POGRADECI


POGRADECI
✤ Qytet në JL të Shqipërisë, buzë liqenit të Ohrit në lartësinë 696 m, qendër rrethi. Popullsia 14.600 banorë. Në një kodër në VP të qytetit gërmimet arkeologjike kanë zbuluar një vendbanim të shek. V p.e.r. të krahinës së Dasaretisë, ndofta Enkelana, i cili u shndërrua në qytezë në gjysmën II të shek. iy. Pas pushtimit romak qyteza e humbi rëndësinë. Në shek. IV e.r. u rimëkëmb si një vendbanim i fortifikuar ushtarak bujqësor, që vazhdoi si i tillë deri në shek. VIII, kur u rrënua. Si vendbanim i vogël në shek. XVII dhe në gjysmën e dytë të tij kishte rreth 600 shtëpi,

Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, P. u bë qendër e veprimtarisë atdhetare dhe një bazë e çetave të lirisë. Disa ditë pas Korçës këtu u hap shkolla shqipe (14.3.1887). Gjatë Luftës ANÇ shumë banorë morën pjesë në radhët e partizanëve. P. u dogj gjatë luftës italo-greke dhe dy herë nga pushtuesit fashistë.

Pas Çlirimit P. u shndërrua në një qendër të rëndësishme ekonomike, arsimore dhe për pushimin e punonjësve. Prodhimi industrial i v. 1938 sot jepet në 3 ditë. Dega kryesore ekonomike është ind. minerare. Më 1980 u vu në shfrytëzim fabrika e pasurimit të hekur-nikelit në Gur të Kuq, ku është dhe stacioni i hekurudhës. Degë të tjera janë ind. ushqimore (fabrika e verës, e konservimit të frutave e perimeve, e përpunimit të duhanit), ind. e lehtë, sidomos prodhimi i orendive prej druri, i trikotazheve, i pajisjeve shtëpiake etj. Para Çlirimit P. kishte 2 shkolla fillore. Sot ka shkollë të mesme të përgjithshme, 4 shkolla, 8-vjeçare, 6 kopshte, 2 çerdhe, teatër estrade, teatër kukullash, muze historik, bibliotekë, pallat kulture, galeri artesh, pallat pionierësh, 2 kinema. Pas Çlirimit u krijua bulevardi gjatë liqenit ku janë ngritur një varg hotelesh e shtëpish pushimi deri në pikën turistike të Drilonit. Janë ndërtuar të reja 70% e shtëpive dhe janë hapur rrugë që zbresin drejt liqenit. Ruhet një lagje me shtëpi karakteristike. Duke qenë buzë liqenit, me një mikroklimë të veçantë, me shumë lulishte dhe me rrjetin e shërbimeve sociale e tregtare P. është një nga qendrat kombëtare për pushim gjatë verës.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Pogradeci


[cite]