POLIFONIA POPULLORE


POLIFONIA POPULLORE
✤ Pjesë e muzikës popullore shqiptare që ka si veçanti mbivendosjen e dy a më shumë vijave melodike vokale ose instrumentale, zhvillimi i të cilave kryhet në mënyrë horizontale (kontrapunktike) dhe vertikale (harmonike). Praktikohet në një trevë të gjerë që shtrihet nga hapësirat VL të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni, pjesërisht nëpër Kosovë dhe në krejt J e Shqipërisë, nga Shkumbini në Çamëri. Disa dukuri ndeshen edhe në zonat ku mbizotëron homofonia (shih), p.sh. në mjaft zona V të Shqipërisë. P. përgjithësisht, në vende të ndryshme të botës ka njohur rrugë të ndryshme zhvillimi. Sot ajo, në raport me homofoninë, zë një vend më të kufizuar dhe konsiderohet si një relikë e kohëve të lashta. Format e P. P. shqiptare vokale janë të shumta. Janë dy, tre e katërzërashe, ekzekutohen në grupe të veçanta burrash e grash, por dhe në grupe të përziera. Sot ekzekutimi i përzier i këngëve është përhapur mjaft, po ashtu shoqërimi i këngëve polifonike me saze (orkestrina popullore). Kënga polifonike në J është gjithashtu në bazën e shoqërimit të valleve të burrave dhe të grave. Këngët dyzërashe kanë një varg strukturash tipologjike. Ka këngë ku solisti kryesor këndon mbi melodinë e grupit, në disa të tjera solisti bashkë me grupin këndon melodinë, një zë i dytë këndon kontramelodinë etj. Këngët trezërashe kanë dy solistë, «marrësin» (udhëhëqësin e grupit) dhe «mbajtësin» ose «pritësin» a «kthyesin» etj. (zëri II). Grupi mban iso (burdoni), «mban zë», «ia mbush» etj., sipas emërtimit popullor. Parimi i zhvillimit të zërave në format trezërashe burdonale është i ndryshëm. Në trevat midis dy lumenjve Shkumbin-Vjosë këngët kanë në bazë lëvizjen horizontale e alternative të zërave. Këtu është i pranishëm ritmi i lirë, pentatoni dhe imitacioni (P. P. toske). Lëvizja vertikale, shtjellimi i njëkohshëm i vijave të ndryshme melodike, karakteri recitativ, kontrapunkti dhe ritmi i prerë janë karakteristika dalluese të polifonisë tre dhe katërzërashe të trevave në të majtë të Vjosës (P. P. labe). P. P. shqiptare shquhet për një mori stilesh, që kanë dhe emërtimet: myzeqarçe, kolonjarçe, gjirokastriçe, himarjoçe, vlonjaçe etj. Terminologjia e pasur popullore për funksionin e zërave, strukturat e shumta tipologjike, dendësia dhe përhapja e gjerë territoriale, lidhjet me kulturën muzikore polifonike të lashtësisë së vonë ilire, janë dëshmi të origjinalitetit dhe të karakterit autokton të P. P. shqiptare.

(B.Kr.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Polifonia Popullore


[cite]