Primati Papal

Primati Papal

Primati Papal Papët kishin gjithmonë pretendime për supremaci ndaj patrikëve të tjerë. Kisha e Perëndimit filloi të mos ta njihte më kanonin e 28-të të Sinodit IV Ekumenik të Kalqedonës, në të cilin të drejtat e ndereve qenë të njëjta. I pari ndërmjet të barabartëve (Primus inter pares). Ata pretendonin për supremaci, d.m.th. të ishin kreu i Kishës dhe ta thonin ata fjalën e fundit, për të gjitha problemet teologjike e organizative të Kishës. Ndërkohë që në Lindje të tre Patriarkanat e tjera qenë krejtësisht të pavarura ndërmjet tyre dhe Patriku i Kostandinopojës nuk kishte zotërim mbi to. Pra Kisha deri në atë kohë drejtohej nga Pentarkia d.m.th. pesë Patriarkana. Primatin papal, papët e bazonin në një koleksion kanonesh kishtare, me autor Isidorin e Seviljes. Por, në fakt, ky nuk ishte autori i tyre, prandaj ato kanone u quajtën “Kanone Pseudoisidoriane”. Këto kanone u jepnin papëve pothuajse të gjitha të drejtat që kishin ëndërruar prej shekujve dhe siguronin supremacinë e tyre. Me këtë akt ata i fyen rëndë patrikët dhe episkopët e Lindjes, dhe gjithë kishën, duke u bërë kështu shkaktarë për ndarjen e Kishës. Kjo teori çoi së fundi, në krijimin e Shtetit Papal në vitin 754 dhe në pretendimet e papëve për nënshtrimin ndaj tyre të perandorëve e princëve. Ky fakt shkaktoi pakënaqësinë e Kostandinopojës. Kjo pakënaqësi u shtua më shumë në vitin 800, kur me bekimin e Papës, Karli i Madh u kurorëzua Perandor. Deri më atë kohë të gjithë besonin se kishte vetëm një Perandori, si dhe një Kishë të vetme.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks

[cite]