Programi politik i Rilindjes

Programi politik i Rilindjes

Ideologjia e Rilindjes u konkretizua në programin e saj politik e kombëtar, i cili u përpunua gradualisht, duke filluar nga vitet 30-40 të shek. XIX dhe u pasurua gjatë zhvillimit të mëtejshëm të lëvizjes kombëtare. Thelbin e tij, si të çdo lëvizjeje tjetër nacionale, e përbënte formimi i shtetit kombëtar shqiptar.Përpjekjet e para (pas atyre të periudhës së Skënderbeut, në shek. XV) për shkëputjen e Shqipërisë nga sundimi osman dhe për formimin e një shteti shqiptar u bënë në vigjilje të epokës së Rilindjes, në fundin e shek. XVIII dhe në fillimin e shek. XIX, kur u formuan dy pashallëqet shqiptare, ai i Shkodrës në veri (1771-1831) dhe i Ali pashë Tepelenës në jug (1787-1822). Megjithatë, këto dy pashallëqe, për një varg arsyesh të brendshme e të jashtme, nuk arritën të bashkoheshin (siç bënë Principata e Moldavisë dhe ajo e Vllahisë më 1859-1861) dhe të themelohej kështu, më herët se në vendet e tjera të Ballkanit, një shtet autonom shqiptar. Shqiptarët i shfaqën përsëri prirjet e tyre për t’u shkëputur nga Stambolli dhe, kur krerët e Jugut formuan, më 1828, Lidhjen Shqiptare, deklaruan se do të luftonin kundër Greqisë vetëm po të rrezikohej Shqipëria dhe jo Turqia. Kështu ata nxorën pothuajse krejtësisht Shqipërinë e Jugut nga kontrolli i Portës së Lartë. Ata kërkuan të vendosnin në vilajetin e Janinës një administratë të tillë civile, e cila t’u njihte të drejta të barabarta gjithë banorëve të këtij vilajeti, shqiptarëve e grekëve, myslimanëve e të krishterëve. Bashkëkohësit shihnin në këto qëndrime të krerëve shqiptarë të Jugut prirjet nacionaliste, madje edhe synimin e tyre për pavarësi dhe për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, gjë që mund të arrihej nëse do të ishte vendosur një lidhje e ngushtë ndërmjet tyre dhe Pashallëkut të Shkodrës, i cili shtrihej në atë kohë pothuajse në gjithë Shqipërinë e Veriut. Për shkak të pavendosmërisë së vetë krerëve feudalë shqiptarë, që i trëmbeshin shkëputjes nga Perandoria Osmane, ky bashkim nuk u arrit dhe Shqipëria humbi atëherë mundësinë për të hedhur poshtë robërinë osmane.

Programi kombëtar i Rilindjes Shqiptare nuk lindi menjëherë në formën e tij të plotë. Fillimet e tij u hodhën nga mendimtarët e shquar shqiptarë, intelektualët rilindës në vitet 30-40 të shek. XIX. Ata përpunuan dora-dorës idetë për të drejtat e kombit shqiptar, i plotësuan me ato iluministe për shkollën e gjuhën shqipe dhe në përgjithësi për kulturën kombëtare, si edhe me kërkesat për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Edhe lëvizjet e para të viteve 30-40 të atij shekulli, që u shtrinë pothuajse në të gjitha trevat shqiptare, si dhe idetë e tyre për një administrim të veçantë për tokat shqiptare, për drejtimin e tyre nga vetë shqiptarët, madje, siç u kërkua gjatë kryengritjes së viteve 1843-1844, për një organizim të tillë të Shqipërisë si ai i shteteve fqinje, kishin karakter çlirimtar, shënuan një hap përpara drejt programit autonomist. Me rritjen e lëvizjes kombëtare në vitet 70 të shek. XIX dhe veçanërisht në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), u përpunua në mënyrë të plotë programi kombëtar i Rilindjes Shqiptare për sigurimin e autonomisë territoriale-administrative dhe të pavarësisë së vendit nga sundimi i Perandorisë Osmane, i cili u pasurua e u zhvillua më tej në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX nga organizatat e tjera politike mbarëshqiptare. Në këtë program, ideologët rilindës, në përputhje me kohën e me rrethanat, përcaktuan rrugët nëpërmjet të cilave populli shqiptar, ashtu si fqinjët e tij ballkanas, do të arrinte të formonte shtetin e vet kombëtar e të bashkuar. Organizimin e shtetit shqiptar rilindësit e mendonin në të dyja format, të autonomisë dhe të pavarësisë. Autonomia dhe pavarësia janë konceptuar gjithmonë si dy etapa të zgjidhjes së çështjes shqiptare, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Por për një varg arsyesh, që kishin të bënin më shumë me rrethanat e jashtme ndërkombëtare, por edhe me raportin e forcave shoqërore e politike brenda vendit, platforma e autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë mbizotëroi gjatë gjithë Rilindjes, deri në nëntorin e vitit 1912.

Shteti autonom shqiptar, nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, vlerësohej nga mendimtarët rilindës si një organizim i përkohshëm e kalimtar, për të shkuar, në kushte më të favorshme ndërkombëtare drejt një shteti plotësisht të pavarur. Autonomia territoriale-administrative krijonte mundësitë që të ngriheshin institucionet juridike-politike dhe strukturat ekonomiko-shoqërore, që do të shërbenin si mbështetje për rendin shtetëror të pavarur, i cili do të vendosej sapo të krijoheshin kushtet e përshtatshme. Kjo ishte rruga që kishin ndjekur drejt pavarësisë edhe disa shtete të tjera ballkanike; ishte e natyrshme që shqiptarët të merrnin parasysh edhe përvojën e tyre.

Por në rastin e shqiptarëve kërkesa e autonomisë u kushtëzua, në një shkallë të konsiderueshme, nga një varg arsyesh të karakterit ndërkombëtar. Rilindësit mendonin se autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë, nën sovranitetin e sulltanit, do të ishte një zgjidhje më e pranueshme për Portën e Lartë, sesa ajo e pavarësisë dhe e shkëputjes së plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Ata e shikonin autonominë si një masë që mund të pajtohej edhe me politikën e status quo-së së Perandorisë Osmane, të ndjekur nga Fuqitë e Mëdha. Një administrim autonom i Shqipërisë do t’u priste rrugën lakmive pushtuese të shteteve të reja ballkanike, të shfaqura qysh në vitet 40 të shek. XIX. Duke siguruar njohjen zyrtare nga Porta e Lartë dhe nga Fuqitë e Mëdha të të drejtave të shqiptarëve mbi trojet e tyre dhe të përkatësisë së tyre etnike shqiptare, autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë nën sovranitetin e Perandorisë Osmane do të shmangte, sa të ishte e mundur më shumë, rrezikun e copëtimit dhe të aneksimit nga shtetet fqinje. Organizimi i Shqipërisë si një njësi e veçantë shtetërore autonome, qoftë edhe brenda Perandorisë Osmane, do të mënjanonte gjithashtu rrezikun e identifikimit të saj me këtë

Perandori, kur kjo të shthurej dhe zotërimet e saj të ndaheshin ndërmjet shteteve ballkanike.
Rilindja, edhe pse ishte në thelb një lëvizje ideore, karakterizohej gjithashtu nga veprime të armatosura të shtresave më të gjera të popullsisë kundër sundimtarëve osmanë. Rilindësit më të përparuar e vlerësuan lëvizjen e armatosur si një mjet të domosdoshëm për të siguruar të drejtat kombëtare dhe për çlirimin e vendit. Këto lëvizje të armatosura, që ndoqën njëra-tjetrën, gjatë shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, nisën me kryengritjet kundër reformave të Tanzimatit në vitet 30-40 e vazhduan deri te kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]