Rëndësia e fundit të detit
Fundërrimet e fundeve oqeanike, të grumbulluara prej miliona vjetësh, mund të ndihmojnë për mbushjen e boshllëqeve që ekzistojnë në historinë e Tokës. Ndoshta fundet oqeanike ruajnë prova që do të mund të sqaronin origjinën e kontinenteve dhe, po kështu, mund të ruajnë gjurmët e së kaluarës së epokave akullnajore e, mbase, edhe shenja të së ardhmes. Ndërmjet fundërrimeve detare dergjen mbeturina të bimëve dhe të kafshëve prehistorike, që do të mund të ndihmonin për të përcaktuar zhvendosjet në kohët e lashta të llojeve të ndryshme nga një zonë në tjetrën. Korja që gjendet nën këto fundërrime do të mund të ndihmonte për të shpjeguar proceset që shkaktojnë ngritjen e relievit dhe tërmetet. Një interes të madh për gjeologët paraqesin edhe llojet e kafshëve që kapen në thellësi të detit.
Në shekujt e kaluar mendohej se humnerat do të kenë shërbyer si vende mbrojtjeje për disa krijesa, të mbetura gjallë që nga e kaluara më e lashtë gjeologjike; por për një kohë të gjatë nuk u zbulua prej tyre asnjë ekzemplar; mirëpo zbulimi kohët e fundit i shumë çelakantideve, që i përkasin periudhës gjeologjike devoniane (rreth 500 milionë vjet më parë) ka ngjallur një interes të ri. Shkencëtarët duhet ti bëjnë sytë katër dhe të jenë shumë të vëmendshëm për gjithçka që rrjetat nxjerrin në sipërfaqe.