RREZIKU ANGLO-AMERIKAN PËR SHQIPËRINË
✤ Libër që bën pjesë në serinë e kujtimeve të shokut Enver Hoxha për Luftën ANÇ. U botua më 1982. Në vepër pasqyrohen gjerësisht qëndrimet parimore, vigjilenca e lartë dhe lufta e vendosur pa asnjë kompromis e PKSH (sot PPSH) dhe e shokut Enver Hoxha, për zbulimin, demaskimin, dështimin dhe shkatërrimin e strategjisë e të taktikave dhe të synimeve të imperialistëve anglo-amerikanë kundër Luftës Nacionalçlirimtare, pushtetit popullor dhe Shqipërisë së Re që po lindte nga revolucioni popullor. Kjo ndeshje e madhe, e vazhdueshme e dhëmb për dhëmb jepet në libër nëpërmjet ngjarjeve të jetuara, kujtimeve vetjake të autorit dhe dokumenteve të kohës.
Në libër, që përmban shtatë kapituj, spikatin qëndrimet parimore, të qarta, të prera e të vendosura, të zgjuara e largpamëse të shokut Enver Hoxha në mbrojtje të interesave të Partisë, të popullit e të atdheut tonë. Aty pasqyrohet dështimi i përpjekjeve të imperialistëve anglezë për të krijuar një qeveri reaksionare në mërgim rreth Zogut, si dhe për të shpëtuar nga demaskimi e shpartallimi reaksionin e brendshëm në vend; premtimet e rreme për ndihma e armë, të cilat kurrë nuk u plotësuan; demaskimi i veprimtarisë së tyre agjenturore, si dhe i veprimeve të tjera armiqësore kundër popullit shqiptar dne Lëvizjes ANÇ.
Kreu i fundit paraqet një tablo sa të gjerë aq dhe heroike të ndeshjes së Partisë e të pushtetit të ri popullor me veprimtarinë armiqësore, sabotuese, komplotuese, terroriste e provokatore të anglo-amerikanëve ndaj Shqipërisë së re dhe popullit të saj, të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite nga imperialistët amerikanë, anglezë dhe reaksioni botëror.
Mësimet që dalin nga libri janë përherë aktuale për luftën që zhvillon sot populli ynë për mbrojtjen e lirisë e të pavarësisë, të diktaturës së proletariatit e të marksizëm-leninizmit, të fitoreve të reja në rrugën e socializmit kundër pohtikës agresive e hegjemoniste të imperialistëve amerikanë, socialimperialistëve sovjetikë dhe reaksionit botëror.
(Xh. Gj.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Rreziku Anglo-Amerikan Për Shqipërinë