RRUGA E LUMENJVE

Ngrohtësisë së Diellit nuk i detyrohemi vetëm për kushtet atmosferike, por edhe për lumenjtë, megjithëse kjo duket pak si e çuditshme. Në sajë të Diellit uji i detit avullon dhe formon retë, të cilat shndërrohen pastaj në shi, domethënë në ujë që rrjedh sipër e poshtë sipërfaqes së Tokës. Lumi s’është gjë tjetër veçse një kanal i gjatë me njëfarë pjerrësie, që ushqehet nga ujërat nëntokësore e bile edhe drejtpërdrejt nga uji i shiut. Uji i përshtatet pa kurrfarë vështirësie formës së enës ku ndodhet dhe në të njëjtën kohë zotëron energji potenciale në sajë të forcës së tërheqjes së Tokës. Ai është gjithashtu një nga faktorët më të fuqishëm që ndikojnë në shndërrimin e planetit. Uji i nëntokës, kur arrin në sipërfaqe, është më i lirë për të qarkulluar sesa uji që futet nën tokë nëpërmjet kullimit. Në të njëjtën kohë, ai është më i aftë për të gërryer, për të marrë me vete mbeturinat. Gjatë rrugës së tij të kthimit për në det, ai bren malet, hap gryka të thella dhe mbush luginat me llumin që sjell. Pikërisht uji i lumenjve krijon edhe peizazhet më të bukura.

Çdo vit lumenjtë mbartin dhe hedhin në det qindra milionë tonelata mbeturina të ndryshme. Veç kësaj, një sasi edhe më të madhe ata e mbartin në brendësi të kontinentit, pa arritur ta çojnë deri në det. Gjatë kohës së jetës së një njeriu, gërryerja e shkaktuar nga lumenjtë nuk vihet re lehtë. Është e vështirë të përfytyrosh një proces më të ngadalshëm sesa gërryerja e një mali apo hapja e një lugine. Gjeologët thonë, ama, se gërryerja, që është veprimtaria kryesore e lumenjve, mund t’i kishte rrafshuar kontinentet deri në nivelin e detit jo një herë, po disa herë që nga koha kur është formuar planeti ynë. Kontinentet e sotme ndodhen sipër nivelit të detit për të vetmen arsye se forcat e brendshme të planetit i kanë ngritur ato vazhdimisht, në një kohë që gërryerja e lumenjve ka vazhduar punën e vet për të bërë të kundërtën.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]