Rusët e krishterë

Rusët e krishterë

Deri në shek. X rusët kanë qenë paganë. Ata u shfaqën për herë të parë para Kostandinopojës në vitin 860 dhe e rrethuan atë. Patriku Foti e kuptoi se i vetmi mjet për të mënjanuar sulmet e tyre ishte konvertimi i tyre në fenë e krishterë. Misionarët e parë të dërguar nga Kostandinopoja nuk patën sukses. Pas vdekjes së princit Igor të Kievit në vitin 955, e shoqja e tij Ollga mbeti regjente. Ajo bëri një udhëtim në Kostandinopojë, ku njohu krishterimin, u impresionua thellësisht nga madhështia e tij dhe u pagëzua duke marrë emrin Elena. Mbasi u kthye në Kiev u përpoq që të përhapte krishterimin deri në fund të jetës së saj. Nipi i Ollgës, Princi Vladimir (980-1015) e kuptoi epërsinë e krishterimit mbi fetë e tjera monoteiste (judaizmit dhe islamizmit), por ishte tepër krenar që të kërkonte misionarë dhe të pagëzohej. Prandaj sajoi një Casus belli, duke sulmuar qytetin Qersones, që ishte zotërim i Bizantit në Krime. Pasi e pushtoi atë, dërgoi një delegacion në Kostandinopojë duke u ofruar bizantinëve paqen me kusht që t’i jepnin për grua princeshën Ana dhe vetë ai do të pagëzohej bashkë me ushtrinë e tij. Kushtet e paqes u pranuan. Princesha Ana shkoi në Qersones bashkë me një suitë të madhe priftërinjsh, ku para se të celebrohej martesa, princi Vladimir u pagëzua. Shembullin e tij e ndoqi i gjithë populli. Kjo ka ndodhur në vitin 998.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks

[cite]