SALLA E KONGRESIT TË PARË ANTIFASHIST NACIONALÇLIRIMTAR


SALLA E KONGRESIT TË PARË ANTIFASHIST NACIONALÇLIRIMTAR
✤ Institucion muzeal në qytetin e Përmetit në ndërtesën ku zhvilloi punimet Kongresi i parë Antifashist NÇ nga 24 deri më 28 maj 1944. Në qershor 1944 ndërtesa u dogj nga pushtuesit gjermanë, por menjëherë pas Çlirimit u restaurua dhe u vu në mbrojtje të shtetit. Ashtu si në ditët historike, në krye të sallës ndodhet tryeza e gjatë e presidiumit të Kongresit, pranë saj tryeza e sekretarisë dhe në sallë janë stolat dhe karriget ku uleshin delegatët dhe të ftuarit. Në ballë është shpalosur një flamur i madh kombëtar, mbi të është shkruar «Rroftë Shqipëria e lirë demokratike». Në të dy anët e flamurit janë portretet e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit dhe sipër parulla: «Vdekje Fashizmit — Liri Popullit!». Në faqet e tjera të mureve përveç portreteve të disa rilindasve ndodhen parullat e kohës. Në sallë ruhet edhe froni ku ka qëndruar sh. Enver Hoxha gjatë seancave të Kongresit. Pranë sallës-muze të Kongresit, në të njëjtën godinë, ndodhet muzeu kushtuar Kongresit historik të Përmetit.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Salla E Kongresit Të Parë Antifashist Nacionalçlirimtar


[cite]