SHUFLAJ MILAN


SHUFLAJ MILAN
✤ (Milan Sufflay, 1879-1931). Historian kroat, studiues i historisë mesjetare shqiptare. Prej 1908-1918 qe profesor i Universitetit të Zagrebit. Pas krijimit të shtetit jugosllav u nxor nga puna për arsye politike, u dënua me burg dhe u ndalua të pranonte thirrjen për në Universitetin e Budapestit. Pas një udhëtimi në Shqipëri u vra në mënyrë barbare nga policia jugosllave. Vrasja e tij shkaktoi një valë protestash ndërkombëtare. Bashkë me L. Taloçin dhe K. Jireçekun, M. Sh. botoi më 1913-18 përmbledhjen dyvëllimëshe «Akte dhe diploma» (shih) që ai e pajisi me një aparat shkencor të vlefshëm; dorëshkrimi i vëllimit të tretë, i bërë gati për botim, u konfiskua nga polieia dhe humbi. Po me ata bashkautorë botoi përmbledhjen «lllyrisch-Albanische Forschungen» (shih) që përmban një varg studimesh të ,tij. Më 1924 u botua nga Akademia e Shkencave e Vjenës vepra e tij themelore «Qytetet dhe kalatë e Shqipërisë kryesisht gjatë mesjetës», më vonë pasuan punimet «Historia e Shqipërisë së Veriut» dhe «Serbët e Shqiptarët». Me pseudonimin Alba Limi, M. Sh. botoi më 1920 romanin historik me temë shqiptare «Konstantin Balsha». Në punimet e M. Sh. bie në sy pasuria e madhe e materialit burimor faktologjik, por ka pak vend për faktorët ekonomikë dhe shoqërorë dhe veprimin e tyre, historia e shqiptarëve është për të kryesisht historia e një entiteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone e vazhdimësi të pandërprerë, me aftësi të madhe rigjeneruese; ajo përfaqëson për Sh. thelbin autentik të historisë së Ballkanit të lashtë.

(A.Bu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Shuflaj Milan


[cite]