Sinodet e K.O.A.Sh-it

Sinodet e K.O.A.Sh-it

1-Sinodi i Nolit. Më 24 nëntor të vitit 1923 Jerotheu dhe Kristofori dorëzuan në gradën episkopale Theofan Nolin në kishën e Shën Gjergjit në Korçë. Menjëherë pas dorëzimit, Imzot Theofani e shpalli veten Mitropolit të Durrësit, Gorës e Shpatit, primat dhe Eksark të tërë Ilirisë, detit të Perëndimit dhe gjithë Shqipërisë. Gjithashtu e quajti veten kryetar i Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Hirësia e Tij Jerotheu u shpall Mitropolit i Korçës dhe Hirësia e Tij Kristofori, Mitropolit i Beratit. Duhet theksuar se Jerotheu dhe Kristofori nuk qenë dakort me iniciativën e Nolit të vetëshpallur. Ky Sinod, i cili nuk u pranua nga Patriarkana Ekumenike vazhdoi të funksionojë deri në trazirat e vitit 1924 kur Imzot Theofani u detyrua të largohej nga Shqipëria. 2-Sinodi i Visarionit. Më 18 shkurt 1929 Imzot Visarioni me mbështetjen e qeverisë shqiptare formoi Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili përbëhej nga: 1- Visarion Xhuvani, Mitropolit i Tiranës dhe i Durrësit. 2- Agathangjel Çamçe, Episkop i Beratit, Vlorës dhe Kaninës. 3- Thanas Ambrosi, Episkop i Gjirokastrës, Delvinës dhe Himarës. Ndërsa Eugjeni u caktua ndihmës i Kryeepiskopit. 3-Sinodi i Kisit. Më 24 maj 1937 Kryeepiskopi Kristofor u zgjodh kryetari i Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Sinodi i Shenjtë përbëhej nga Kryehirësia e Tij Kristofori Kryeepiskop i Durrësit, Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Agathangjel Çamçe Mitropolit i Beratit, Evllogjio Kurilla Mitropolit i Korçës dhe Pandelejmon Kotoko Mitropolit i Gjirokastrës. 4-Sinodi i Paisit. Më 18 prill të vitit 1947 në Kishën Katedrale të Ungjillëzimit në Tiranë, Arkimandrit Pais Pashko Vodica u dorëzua Mitropolit i Korçës prej Kryeepiskopit Kristofor Kisi dhe një Episkopi rus të quajtur Nestor, që kishte ardhur enkas për këtë punë. Ndërsa më 25 gusht 1949 Paisi Vodica u shpall Kryeepiskop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe formoi Sinodin e Shenjtë të përbërë nga: Imzot Kirill Naslazi, mitropolit i Beratit, Imzot Filothe Duni, mitropolit i Korçës, Imzot Damjan Kokoneshi, mitropolit i Gjirokastrës dhe Imzot Sofroni Borova, ndihmës episkop. Kryeepiskop Paisi njoftoi menjëherë Patriarkanën Ekumenike për krijimin e Sinodit të Shenjtë, por Patriarkana e quajti Kryeepiskop jokanonik dhe nuk e njohu. Paisi e lidhi Kishën Ortodokse shqiptare me Patriarkanën e Moskës komuniste. 5-Sinodi i Anastasit. Pas bisedimeve të gjata ndërmjet përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike, të Kishës së Shqipërisë dhe autoriteteve shqiptare, u formua Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Të shtunën, më 18 korrik 1998, u bë në qytetin e Beratit fronëzimi i Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Ignatit. Mitropolit i Korçës u zgjodh Arkimandriti Joan Pelushi dhe Episkop i Apollonisë u zgjodh Ikonom Kozma Qirjo. Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, të krijuar prej episkopëve aktivë, e përbëjnë Fortlumturia e Tij Kryeepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, Kryetar; Hirësia e Tij Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Ignati, Hirësia e Tij Mitropoliti i Korçës, Joani, dhe Hirësia e Tij Episkop i Apollonisë, Kozmai, anëtar. Kryesekretar i Sinodit të Shenjtë është Protopresviteri Jani Trebicka. 6-Sinodi i vitit 2006. Në mbledhjen e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të datës 11 nëntor 2006, u vendos që të ngrihen në gradën episkopale tre arkimandritë të Kishës sonë: 1- Arkimandrit Dhimitër Sinaiti, u caktua Mitropolit i Gjirokastrës. 2-Arkimandrit Nikolla Hyka, i cili mori titullin Episkop i Apolonisë. 3-Arkimandrit Andon Merdani, i cili mori titullin Episkop i Krujës. Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë përbëhet nga: †Kryepiskopi Anastas, Kryetar; Mitropoliti i Beratit Ignati, Mitropoliti i Korçës Joani, Mitropoliti i Gjirokastrës Dhimitri, Episkopi i Apolonisë Nikolla, Episkopi i Krujës Andoni; Kryesekretar i Përgjithshëm është Protopresviter Jani Trebicka. Këshilli Kishtar Kleriko-laik përbëhet nga: Fortlumturia e tij, Kryeepiskopi Anastas, kryetar, anëtarët e Sinodit, atë Jovan Koroveshi, atë Ilia Kotnani, atë Efthim Kalama, atë Grigor Ndreko, A. Kosti, O. Beci, N. Ballço, A. Duro, Th. Sinjari, L. Trebicka, S. Dedja, P. Mamaj.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-70-vjet të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë 1993, faqe 12-19, 70-74.
2-U formua Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Ngjallja, gusht 1998, faqe 1,12.
3-Plotësohet Sinodi i Shenjtë, Ngjallja, dhjetor 2006, faqe 8.

Besimi — Ortodoks

[cite]