Sllavët e krishterë
Sllavët Në vitin 862 mbërriti në Kostandinopojë përfaqësia e moravëve dhe patriku Foti caktoi dy vëllezërit nga Selaniku që të ndërmerrnin aktivitetin misionar. Sapo mbërritën në Moravi, ata u pritën shumë mirë nga mbreti Ratislav dhe populli, sepse ata kishin bërë një punë të shkëlqyer duke përkthyer në gjuhën sllave pasazhet ungjillore të Shkrimit të Shenjtë dhe librat liturgjikë. Aktiviteti misionar i dy vëllezërve përparonte me ritme të shpejta, me gjithë pengesat e vështirësitë që u krijonin episkopët francezë Passan dhe Regesburg. Ata arritën që brenda një kohe të shkurtër të përkthenin Biblën në gjuhën sllavishte të vjetër. Aktiviteti i shkëlqyer misionar i Kirilit dhe Metodit krijoi armiqësinë me misionarët francezë të kishës latine. Këta, duke e parë se po humbisnin terren te populli i Moravisë, i paditën te papa, sepse kishin futur gjuhën sllave në shërbesat kishtare. Në atë kohë nëpër kisha mund të përdorej si gjuhë liturgjike vetëm hebraishtja, latinishtja ose greqishtja. Në vitin 868 ata i thirrën në Romë për të dhënë llogari përpara papës Adriani II (867-872). Kirili dhe Metodi u mbrojtën me Bibël në dorë, duke thënë se Zotit mund t’i shërbehet në çdo gjuhë. Pasi dëgjoi liturgjinë në gjuhën sllave, e cila u celebrua në kishën e Shën Pjetrit, papa dha pëlqimin e tij dhe e njohu sllavishten si gjuhë kishtare. Papa Adriani II e dekretoi sllavishten e vjetër gjuhë liturgjke, por me kusht që Apostulli dhe Ungjilli të lëçiteshin më parë latinisht dhe më pas sllavisht. Ndërkohë Kostandini u sëmur rëndë dhe vdiq në Romë më 14 shkurt të vitit 869. Atë e varrosën në bazilikën e Shën Klimit. Para se të vdiste ai u qeth murg duke marrë emrin Kiril. Gjithashtu alfabeti i shpikur prej tij u quajt alfabeti kirilik. Metodi u dorëzua episkop i Panonisë nga Papa Adriani. Kur u kthye për të vazhduar punën misionare, u arrestua nga kleri frankogjerman duke u burgosur në manastirin e Bavarisë. U lirua prej andej vetëm pas tre vjetësh me ndërhyrjen e papa Joanit VII. Jo shumë kohë pas vdekjes së Metodit më 6 prill të vitit 885, principata e Moravisë u nda midis Hungarisë dhe Bohemisë në vitin 907 dhe gjuha sllave u hoq nga shërbesat fetare duke u zëvendësuar me atë latine. Shumica e nxënësve të Metodit u përndoqën dhe u detyruan të largohen nga Moravia. Ndërmjet viteve 906 dhe 910 Moravia u plaçkit nga magjarët, të cilët të shtyrë nga frankët shkatërruan çdo gjë nga puna misionare e vëllezërve Kirili dhe Metodi. Nga moravët krishterimi u përhap te bohemët. Mbreti i tyre Borzivoi u pagëzua në Moravi së bashku me gruan e tij Ludmillën në vitin 870 dhe shembullin e tyre e ndoqi i gjithë populli. Pjesa e popullsisë që mbeti pagane gjeti mbështetje te nipi i Borzivoit që quhej Bolesllav. Ky i fundit bëri mjaft masakra ndaj të krishterëve derisa mbreti i Gjermanisë Otoni I në vitin 905 e mundi në luftë dhe e detyroi të pranojë krishterimin si fe zyrtare.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)