SPECIALIZIMI NË BUJQËSI


SPECIALIZIMI NË BUJQËSI
✤ Formë e organizimit racional të prodhimit shoqëror në bujqësi që lidhet me ndarjen e punës midis zonave, rretheve dhe ekonomive bujqësore e blegtorale. Ai ka si qëllim rritjen e prodhimit bujqësor, me sa më pak shpenzime të punës së gjallë e të materializuar për njësi produkti.

Në vende kapitaliste e revizioniste S. në B. kryhet nën ndikimin e fuqishëm të marrëdhënieve të tregut, ai shpie në zhvillimin e njëanshëm (monokulturë) të bujqësisë, në shfrytëzimin grabitqar të tokës e të punës së gjallë, në shpopullimin masiv të fshatit.

Në RPS të Shqipërisë S. në B. pas Çlirimit është bërë me ritme të larta e në mënyrë të planifikuar dhe ka si synim krijimin e një bujqësie shumëdegëshe, harmonizimin e drejtë të degëve kryesore me ato plotësuese e ndihmëse në përputhje me kushtet konkrete klimatike, tokësore e ekonomike që kanë zonat, rrethet dhe ekonomitë bujqësore. Specializimi shoqërohet me përqendrimin e prodhimit bujqësor, që është përqendrimi i mjeteve të prodhimit e të fuqisë punëtore në NB-të ose koop. bujqësore për të arritur një prodhimtari sa më të lartë mbi bazën e një teknike sa më të përparuar. Në bujqësinë tonë socialiste ai është arritur nëpërmjet kolektivizimit të prodhuesve të vegjël, bashkimit të koop. e ndërmarrjeve bujqësore të vogla në ekonomi të mëdha, si dhe nëpërmjet intensifikimit të prodhimit bujqësor.

(Z. P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Specializimi Në Bujqësi


[cite]