Spiro Veli
shqiptar ortodoks Spiro Veli (1914-1995) ka lindur më 1914, në Erind të Gjirokastrës. Që kur ishte fëmijë i ati e merrte me vete për shërbime në kishë dhe kur shkonte për bekim në shtëpitë e fshatarëve. Në moshën 18- vjeçare shkon në seminarin Ortodoks “Apostol Pavli” në Tiranë. Në atë kohë seminari drejtohej prej Kryeepiskop Vasarion Xhuvanit. Pas mbarimit të seminarit më 1936, banoi në qytetin e Durrësit duke punuar mësues i fesë njëkohësisht kryente edhe detyrën e psaltit në Kishën e Shën Spioridhonit. Më 1 janar të vitit 1945 dorëzohet dhiak dhe më 3 janar të po atij viti, hirotoniset në gradën priftërore. Atë Spiro Veli shërbente në qytetin e Durrësit së bashku me Atë Erazmi Jorgon, duke lënë mbresat më të mira për urtësimë, ndershmërinë dhe profesionalizmin e tij. Në vitin 1948 së bashku me arqimandrit Dhimitër Kokoneshin morri pjesë në delegacion kishtar nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, e dërgon në Bullgari e Rumani, ku fitoi një eksperiencë të re, e cila i shërbeu më vonë në jetën e tij. Në vitin 1951 emërohet zëvëndësi i përgjithshëm i Episkopatës së Beratit detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1953. Duke parë punën e tij të mirë organizative, më 1953 emërohet Zëvendës i përgjithshëm në Mitropolinë e Elbasanit. Me prishjen e kishave më 1967, ai u ndesh ballë për ballë me të rinjtë, dhe nuk lejoi të prekej asgjë nga kisha e Shën Marisë. Kështu që buke bindur me fjalë të urta se kisha ishte ushqim shpirtëror i masave të gjëra, që ajo qetësonte shpirtrat e trazuar. Gjatë viteve të diktaturës punoi në punë të ndryshme shekulare si shitës kinkalerie, shitës tullash apo roje. Rihapja e kishës së Shën Marisë më 1991, e gëzoi pa masë. Ndonëse në moshën 81- vjeçare, Atë Spiro Veli punoi me përkushtim dhe devodshmëri deri sa vdiq më 23 prill 1995, në ditën e Pashkës së Madhe.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-At Stavri Çipi, At Spiro Veli, shembull i një kleriku të devotshëm, Ngjallja, qershor 2005, faqe 9.