TOKA QË NGRIHEN E ULEN

Kudo që korja shkëmbore është e zbuluar, ka mundësi të vihen re shenjat e një shqetësimi të përjetshëm të Tokës; thyerje, përdredhje, ngjeshje, rrudhje. Veçanërisht në male, shkëmbinjtë tregojnë shenja të një të kaluare plot trazira. Në shumë vende vihen re shenja që tregojnë se si janë zhvilluar ngritjet dhe fundosjet e zonave tokësore. Fosilet e kafshëve detare që gjenden në shkëmbinjtë e maleve të larta provojnë që fundi i deteve është ngritur deri edhe me kilometra, Luginat e lumenjve, të përmbytura gjatë brigjeve, dëshmojnë për ndryshimet në nivelin e tokës, duke bërë krahasimin me nivelin e detit. Lumenjtë e ripërtëritur tregojnë që masa të tëra tokash, të ulura nga erozioni, mund të ngrihen përsëri, bile disa herë. Për më tepër këto forca vigane veprojnë mbi koren e Tokës shumë ngadalë dhe njerëzit nuk i vënë re ato; megjithatë, këto forca janë gjithnjë në veprim dhe tërë litosfera për asnjë çast nuk është e palëvizshme. Kur lëvizje të tilla ngritjeje ose fundosjeje kanë të bëjnë me sipërfaqe të mëdha toke, ato quhen epirogjenetike; përkundrazi, kur ato janë të kufizuara në zona jo shumë të gjera, quhen bradisizmike (nga greqishtja bradus, që do të thotë «e ngadalshme», dhe seizmos, që do të thotë «lëkundje»). Konsiderohen pozitive lëvizjet ngritëse dhe negative lëvizjet fundosëse. Veçanërisht pas pliocenit do të ketë pasur ngritje sipërfaqesh mjaft të mëdha të masave kontinentale.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]