TOPTANI ABDI
✤ (1864-1942). Veprimtar i dalluar i Rilindjes dhe i periudhës së Pavarësisë. Lindi në Tiranë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Stamboll. Qysh në rini ra në kontakt me rrethet patriotike nëpërmjet Murat Toptanit, u bë propagandues i ideve kombëtare dhe punoi për përhapjen e shkrimit shqip me alfabetin latin. Organizoi kryengritjen e armatosur të malësorëve të Shëngjergjit e të Shupalit kundër dhunës së administratës osmane në vitin 1902. Udhëhoqi forcat kryengritëse në rrethin e Krujës gjatë kryengritjes së përgjithshme antiosmane më 1912. Po atë vit, në nëntor, A. T. priti në Durrës grupin e kryesuar nga Ismail Qemali, e shoqëroi në Vlorë, ku mori pjesë në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe u zgjodh ministër i Financave në Qeverinë e parë kombëtare.
A. T luftoi për forcimin e shtetit të pavarur,. mori pjesë si delegat i Tiranës në Kongresin e Lushnjës (shih) më 1920 ku u zgjodh anëtar i Kryepleqësisë. Më 1922 mori pjesë në Kryengritjen e marsit, përkrahu Elez Isufin, Bajram Currin etj. në luftë kundër klikës së A. Zogut. Pas dështimit të kryengritjes, reaksioni zogist e dënoi me vdekje, por për shkak të protestave të elementëve atdhetarë, nuk mundi ta vërë në jetë këtë vendim. Vdiq në Tiranë.
(S. Ja.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Toptani Abdi
[cite]