Ujë i ëmbël dhe ujë i kripur

Ujë i ëmbël dhe ujë i kripur

Përveç Liqenit të Madh të Kripur në Amerikë, ndër liqenet e mëdha të kripura që ekzistojnë sot në botë mund të përmendim Detin Kaspik dhe Detin e Vdekur, ku kripësia arrin deri në 240 gramë për kilogram. Ka të tjera liqene të tilla në Afrikën e Veriut, në Azinë e Vogël dhe në Azinë Qendrore. Një herë e një kohë këto liqene përmbanin ujë të ëmbël, ndërsa sot janë të kripura, bile më të kripura se detet. Në të vërtetë, kripësia e ujërave, të liqeneve zakonisht është e vogël, por mund edhe të. rritet së tepërmi, kur për shkak të avullimit të madh ndodh një rritje e ngadalshme por e pandërprerë e përqendrimit të kripës. Përbërja kimike e ujit të liqeneve, varet nga natyra gjeologjike e pellgut që i ushqen liqenet me ujë.

Gjatë periudhave të akullnajave, disa prej këtyre merrnin sasi të mëdha uji nga shirat dhe nga akujt që shkrinin, dhe këto sasi mjaftonin për ta mbajtur ujin të ëmbël pavarësisht nga kripërat që sillnin lumenjtë, të cilët i tretnin ato në trojet nëpër të cilat rridhnin. Pastaj, kur akujt u shkrinë dhe klima u bë më e thatë, furnizimi me ujë të ëmbël u pakësua. Niveli i ujit në liqenet ra nën nivelin e ujit nëpër lumenjtë që dilnin prej tyre, ndërsa avullimi vazhdoi si më parë. Në këtë mënyrë, ndërsa uji avullonte, një sasi e madhe kripërash, të cilat nuk mund të largoheshin nëpërmjet lumenjve, mbetën në liqenet.

Në përgjithësi, kur lumenjtë që dalin nga liqenet fillojnë të pakësohen dhe uji humbet nëpërmjet kullimit ose nëpërmjet avullimit, ndërsa humbjet nuk përballohen nga prurjet e lumenjve, liqeni do të zhduket medoemos një ditë. Ndërkaq uji, duke u pakësuar, mund ta rritë përqendrimin e kripërave që përmban dhe kështu të shndërrohet në ujë të kripur. Përqendrimi i kripës në ujin e liqeneve në disa zona varet së tepërmi edhe nga ndryshimi i stinëve. I tillë është rasti i liqeneve tropikale, të atyre zonave, pra, ku hasen periudha të gjata thatësie, gjatë të cilave liqenet nuk ushqehen me ujë ndërsa avullimi është tepër i madh. Të tilla ndryshime të nivelit të ujit vërehen, për shembull, në liqenin Çad në Afrikën Tropikale, ku sipërfaqja e liqenit dhe kripësia e tij pësojnë të atilla ndryshime nga njëra stinë në tjetrën, saqë liqeni me zor njihet

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]