Ulrih Zvingli

Ulrih Zvingli

Ulrih Zvingli ka lindur në vitin 1484 në fshatin Vildhaus në Kantonin Gallen. Babai i tij, ishte një pronar i vogël tokash dhe njëkohësisht gjykatës në fshat, gjë që lejoi t’i jepte të birit një edukatë të mirë. Zvingli studioi në shkencat humane dhe teologji, në universitetet e Vienës dhe të Bazelit. Njohja me themel e Biblës, i sugjeroi idetë Reformës, të cilën e konceptoi në mënyrë më demokratike sesa Luteri duke i dhënë karakter kombëtar dhe politik. Veprimtaria reformuese e Zvinglit u zhvillua gradualisht dhe nuk shpërtheu përnjëherësh, si ajo e Luterit. Për dhjetë vjet, sa ishte famulltar në Glarus, predikimi i tij kishte karakter kombëtar, sepse ai ngrinte zërin e tij, nga lartësia e amvonit kundër tërheqjes së bashkëkombësve të vet në ushtritë mercenare të huaja. Vetëm në fazën e dytë të veprimtarisë së tij, ai u shfaq si një rebel në çështjet fetare. Shkak për këtë u bënë pelegrinazhet që bëheshin tek ikona çudibërëse e Shën Marisë, në Manastirin e Maria Einsiedeln, ku ai ishte prift. Zvingli u ngrit me shumë takt dhe finesë kundër venerimit të shenjtorëve dhe ikonave, kundër pelegrinazheve, kundër kreshmëve dhe kundër abuzimeve që brenin kishën. Në këtë kohë murgu franceskan Bernhard Samson, nga Milano, shiste indulgjenca në Zvicër po në atë mënyrë skandaloze si Tetzeli në Gjermani. Zvingli u ngrit kundër murgut Samson dhe sulmoi në predikimet e tij thelbin e praktikës së indulgjencave duke dhënë prova se ky veprim nuk ka asnjë bazë në Bibël.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks

[cite]