Zjarre të përgjumura

Në jetën e të gjitha vullkaneve vjen një çast kur magma pushon së ngjituri lart. Në grykën e vullkanit magma ftohet dhe ngurtësohet duke formuar një si tapë. Vullkani fle. Por një vullkan që fle mund të tregohet i pabesë, ashtu siç bëri Vezuvi i lashtë. Le të mendojmë sikur presioni brenda fillon të rritet dhe magma, duke u ngjitur lart, ndalet nga tapa; atëherë presioni rritet, zona fillon të përshkohet nga lëkundjet e tërmetit dhe së fundi vullkani shpërthen. Disa nga fatkeqësitë më të tmerrshme kanë ndodhur tamam atëherë kur vullkanet e taposura kanë nisur rishtas aktivitetin e tyre, siç ka ndodhur shumë herë me Vezuvin, Krakatoan dhe me Pelenë.

Vullkani i ishullit të Krakatoas, në Indonezi, shpërtheu në vitin 1883. Avujt, copërat dhe hirat hidheshin deri në dyzet ose pesëdhjetë kilometra lart. Anijet në detet e Sondës u veshën me një llucë përshkënditëse; një pjesë e mirë e ishullit u shkatërrua; lëkundjet e tërmeteve në tokë shkaktuan një tërmet të tmerrshëm të nëndetshëm, që mbyti 30. 000 njerëz në ishujt Java dhe Sumatra. Fluturuan në ajër rreth pesë kilometra kub copëra. Hiri, që u ngjit deri në stratosferë, u mbart nga era në të gjithë rruzullin tokësor dhe, për shumë muaj me radhë, agimet dhe perëndimet ishin të flakëruara.

Mali Pele në Martinikë, ishull i Antileve të Vogla, u zgjua në vitin 1912, pas pesëdhjetë vjetësh qetësie. Lava shumë e fortë që doli nga gryka e këtij vullkani formoi një kullë rreth 300 metra të lartë. Pesha jashtëzakonisht e madhe., së bashku me presionin e gazeve, shkaktoi shembjen e një faqeje të konit dhe nga e çara që u shkaktua, shpërtheu një re e zjarrtë vigane, e përbërë nga hira, rërë e avuj që, duke vetëtirë nga shkarkimet elektrike, u përhap gjithandej me shpejtësi prej qindra kilometrash në orë. Qyteti i Pierres, kryeqytet i Martinikës, u përfshi i gjithi prej saj dhe të 28. 000 banorët e tij vdiqën të mbytur ose të djegur; vetëm njëri shpëtoi, meqë gjendej nën tokë, në qelinë e burgut. Në port uji valonte dhe anijet që ndodheshin aty u fundosën

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]