ÇERMENIKA
✤ Zonë malore dhe krahinë etnografike në rrethet e Librazhdit dhe të Elbasanit, midis Martaneshit (shih) në V., rrjedhjes së mesme të Shkumbinit në J., malësisë së Gollobordës e Shebenikut në L. dhe malësisë së Labinotit në P. Pjesa L quhet Çermenika e Zezë, kurse pjesa P Çermenika e Bardhë. Ka lartësi nga rreth 270 m në 1668 m (Guri i Muzhaqit) dhe përbëhet kryesisht nga flishi dhe gëlqerorë. Relievi është shumë i thyer nga lumi i Rrapunit (degë e djathtë e Shkumbinit). Në viset gëlqerore, sidomos në Gurin e Muzhaqit janë të zhvilluara forma të shumta të relievit karstik (hinka, gropa etj.) Ka klimë me dimrin relativisht të ftohtë dhe verën të freskët. Bien mbi 1600-1700 mm reshje në vit. Bimësia përbëhet kryesisht nga dushku. Në pjesën e ulët gjenden shkurre mesdhetare, kurse në lartësitë më të mëdha pyje ahu. Për t’u përmendur janë gështenjat që formojnë pyje (Gurakuq etj.). Fshatrat kryesore janë: Zdrajshi (shih), Orenja (shih), Gurakuqi (shih), Ballgjini, Luniku etj. Si krahinë etnografike bën pjesë në Gegërinë e mirëfilltë, përmendet në dokumente historike që në mesjetën e vonë. Banorët merreshin me bujqësi e blegtori, por nuk i plotësonin nevojat dhe prandaj mërgonin si zejtarë, kryesisht muratorë e përgatitës ëmbëlsirash, zeje për të cilat njiheshin në gjithë Ballkanin. Organizimi shoqëror mbësbtetej në të drejtën tradicionale të «Kanunit të Skënderbeut», me disa shtesa të ndryshme. Tipi i banesës ishte me çardak të hapur dhe me teliza. Mbizotëronte veshja me brekushe të burrave dhe te gratë në disa raste e zezë e në disa e bardhë.
Ç. ka qenë një nga bazat e Luftës ANÇ. Në gusht 1942 u formua Çeta e Çermenikës (shih) dhe në fund të këtij viti Ç. u çlirua. Gjatë Mësymjes së përgjithshme armike të dimrit 1943-1944 (shih) fshatarët e Ç. mbrojtën me heroizëm Shtabin e Përgjithshëm ië UNÇ, që mbeti i bllokuar nga armiqtë për 2 muaj. Që nga Ç. Shtabi i Përgjithshëm me sh.Enver Hoxha kaloi për në zonat e çliruara të jugut. Pas Çlirimit jeta në Ç. ndryshoi rrënjësisht. Bujqësia e blegtoria janë zhvilluar mbi bazat e reja të ekonomisë kooperativiste dhe është ngritur industria e nxjerrjes dhe e përpunimit të drurit dhe të mineraleve. Ka ndryshuar edhe mënyra e jetesës dhe niveli kulturor i popullit.(P.Q.-Rr.Z.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Çermenika