ÇETAT VULLNETARE TERRITORIALE
✤ Formacione të armatosura të vetëmbrojtjes popullore. U formuan pas Konferencës së Pezës, shkallë-shkallë në të gjitha zonat e çliruara. Ato u ngritën në çdo fshat të madh ose në çdo dy-tre fshatra më të vogla dhe shërbenin si forcë rezervë e çetave partizane (shih) për luftimet e rëndësishme kundër garnizoneve armike ose kur në krahinën e çliruar futeshin trupa fashiste për të kryer operacion ndëshkimor. Drejtimi i tyre në fillim bëhej ‘ nga komitetet e qarqeve të PKSH, më vonë nga shtabet e qarqeve (grupeve) partizane dhe nga komandat e vendit. Ç.V.T. kishin një efektiv më të madh se çetat partizane. Ato dhanë ndihmesë të madhe për arritjen e fitores mbi armikun në shumë aksione luftarake, si në luftën e Gjormit (shih), në luftën e Reçit (shih), në luftimet në Dibër e në Mat (shih) etj., si dhe në të gjitha luftimet e operacionet e kryera nga repartet e njësitë e UNÇ. Ç.V.T. kryenin detyra të rëndësishme për zbulimin e armikut, për ruajtjen e shtigjeve nga ku mund të futej më lehtë armiku në zonën e çliruar, për furnizimin e reparteve partizane e si udhërrëfyes. Ato përbënin njëkohësisht një nga burimet për plotësimin me luftëtarë të çetave të rregullta partizane. Luftëtarët e Ç.V., pasi kryenin veprimin luftarak, ktheheshin në fshatrat e tyre. Me krijimin e Ç.V.T. në çdo fshat dhe krahinë të çliruar, Partia vinte në jetë idenë e armatosjes dhe të pjesëmarrjes në kryengritjen e armatosur të masave të gjera popullore. (M.Il.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Çetat Vullnetare Territoriale
[cite]