ÇIMENTOJA


ÇIMENTOJA
✤ Pluhur i imët, me ngjyrë të përhime, që kur njomet me ujë formon një brumë, i cili mandej ngurtësohet dhe përdoret gjerësisht si lëndë lidhëse (kryesisht hidraulike), Ka dendësi mesatare 3,25 kg/cm3 dhe peshë vëllimore si pluhur i shkrifët 1220 kg/m3. Rrit shpejt qëndrueshmërinë në ajër e në mjedis ujor edhe në temperatura të ulëta. Sipas lëndëve dhe mënyrës së përgatitjes përftohen Ç. portland, Ç. bramcore, Ç. pucolanike, Ç. acideduruese etj. Për qëndrueshmëri në shtypje dhe në tërheqje përftohen Ç. të markave të ndryshme nga 300 deri 600 kg/cm2. Si lëndë e parë për prodhimin e Ç. përdoret një përzierje gëlqerori e deltine, ose mergeli, të copëtuara imët, që piqen në furra të posaçme dhe që quhet klinker. Ky bluhet në mullinj me sfera dhe i shtohet allçi e lëndë të tjera (qelq vullkanik, rërë e imët etj.) për rregullimin e afateve të ngrirjes.

Ç. përdoret shumë në ndërtim, për përgatitjen e betoneve të ndryshme, për përgatitjen e pllakave e blloqeve, për elemente të paratendosura konstruksionesh etj. Industria e çimentos (shih) në Shqipëri prodhon mbi 10 lloje Ç. me marka të larta deri 600 kg/cm2, si Ç. speciale për puset e naftës, Ç. për ndërtime hidroteknike, Ç. acideduruese kundërsulfate etj.

(A.Pe.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Çimentoja


[cite]