28 NËNTORI


28 NËNTORI
✤ Dita e shpalljes së Pavarësisë. Ngjarje e madhe historike që shënoi lindjen e shtetit të pavarur shqiptar. Më 28 nëntor 1912 në Vlorë, mbas rreth 5 shekuj robërie nën sundimin otoman, Kuvendi Kombëtar, nën kryesinë e patriotit të shquar Ismail Qemali (shih), mori vendimin historik dhe e shpalli Shqipërinë shtet më vete, të lirë e të pavarur. I. Qemali atë ditë ngriti flamurin kombëtar. Dita e 28 nëntorit, që ka hyrë në historinë e popullit tonë edhe si Dita e Flamurit, është festë kombëtare dhe përkujtohet çdo vit. Gjatë Luftës ANÇ është kthyer në aitë demonstratash të fuqishme antifashiste kundër pushtuesve të huaj dhe tradhtarëve të vendit (shih: Demonstratat e 28 Nëntorit), dhe, pas fillimit të luftës së armatosur, në ditë goditjesh me armë dhe aksionesh të rëndësishme nga ana e njësiteve guerile e çetave partizane. 28 Nëntori 1944 u festua me madhështi në Shqipërinë e çliruar, me përjashtim të qytetit të Shkodrës që ishte akoma i pushtuar nga ushtria gjermane. Në Tiranë kremtimi i 28 Nëntorit 1944 përkoi me hyrjen e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë me shokun Enver Hoxha në krye. Nga tribuna e festës shoku Enver Hoxha iu drejtua me një fjalim të rëndësishëm popullit të kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë. U zhvillua parada e parë ushtarake e UNÇ, që u shoqërua nga një manifestim i fuqishëm popullor.

(B. K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – 28 Nëntori


[cite]