GJUHËT INDOEVROPIANE


GJUHËT INDOEVROPIANE
✤ Familje gjuhësh e cila përfshin një varg gjuhësh të gjalla e të vdekura, që kanë afri dhe bashkëpërkime të shumta ndërmjet tyre. Nga Gj.I. të gjalla mund të përmenden: shqipja, greqishtja, gjuhët romane (italishtja, frëngjishtja, spanjishtja, rumanishtja etj. që janë zhvilluar nga evolucioni i latinishtes), gjuhët sllave (serbokroatishtja, bullgarishtja, rusishtja, çekishtja, polonishtja etj) gjuhët gjermanike (gjermanishtja, anglishtja, danishtja, suedishtja, norvegjishtja, hollandishtja etj.), gjuhët kelte (skocishtja, irlandishtja etj.), armenishtja, indishtja, gjuhët iranike (persishtja, afganishtja etj.). Nga Gj.I. të vdekura mund të përmenden: ilirishtja (shih), trakishtja (shih), latinishtja, greqishtja e vjetër, hetitishtja që flitej dikur në Azi të Vogël, tokarishtja që flitej dikur në Azinë e Mesme etj.

Gj.I. kanë bashkëpërkime në fjalor, në sistemin fonetik dhe në strukturën gramatikore. Struktura e tyre gramatikore karakterizohet nga sistemi i rasave dhe nga sistemi trigjinish (tek emrat, mbiemrat dhe përemrat), si edhe nga sistemi i zgjedhimit (tek folja). Por gjatë evolucionit të tyre historik këto gjuhë kanë ardhur duke u larguar gjithnjë e më shumë nga njëra-tjetra, për shkak të ndryshimeve që kanë pësuar në të gjitha nënsistemet e tyre.

Gjuha shqipe i ka ruajtur tiparet thelbëscre të trashëguara nga një fazë e hershme indoevropiane, siç janë sistemi i rasave dhe zgjedhimi foljor, natyrisht, me ndryshime të dukshme të përftuara në rrjedhën e shekujve. Ajo ka edhe një fond mjaft të pasur fjalësh të trashëguara, si: ditë, natë, dimër, i lehtë, i thellë, punë, zemër, ujk, ujë, i rëndë, jam, kam, bie, ha, pi etj. Ky fond i trashëguar arrin në më shumë se 2000 fjalë të parme, shifër kjo që nuk është e vogël, po të kemi parasysh se prej fjalëve të trashëguara janë formuar shumë fjalë të tjera të prejardhura, të përbëra dhe të pëmgjitura, si p.sh.: punë, punëtor, punëtori, punishte, punoj, punim, punonjës, punëdhënës etj.

Gjuha shqipe zë një vend më vete në mes të gjuhëve simotra. Ajo është formuar nga evolucioni i njërit a i disa dialekteve të ilirishtes që flitej dikur në brigjet L të Adriatikut dhe të Jonit. Ajo ka disa tipare që e afrojnë me Gj.I. lindore (të quajtura satem) dhe me Gj.I. veriore. Gjuha shqipe në një kohë më të vjetër quhej gjuhë e arbëreshe a arbërishte (shih). (Sh.D.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Gjuhët Indoevropiane


[cite]