ÇEKA SALI
✤ (1892-1925). Publicist demokrat, veprimtar për arsimin kombëtar i periudhës pas Pavarësisë, që iu dha titulli «Mësues i Popullit» pas Çlirimit. U largua që në moshë të re nga vendlindja, Filati i Çamërisë, vijoi studimet e larta pedagogjike në Francë dhe më pas punoi mësues në Shqipëri. U zgjodh përfaqësues i Sulovës dhe i Elbasanit në Kongresin e Lushnjës më 1920. Si luftëtar kundër reaksionit feudal e klerikal, u radhit në krahun e demokratëve revolucionarë dhe ishte anëtar aktiv i grupit «As i pashës, as i beut» (1923) në Elbasan. Me fjalime e artikuj goditi feudalët e qeveritarët antipopullorë. Botoi dhe drejtoi gazetën përparimtare Ku vemi (shih). Lidhur me demokratizimin e jetës së vendit u përpoq edhe që arsimi të ishte laik e mbi baza të shëndosha kombëtare. Drejtoi që nga fillimi Revistën Pedagogjike (1922-1924), përgatiti tekste të reja shkollore dhe ishte ndër nismëtarët e kongreseve arsimore kombëtare në korrik 1922 e gusht 1924 në Tiranë. Në to paraqiti parime përparimtare për ndërtimin e mësimit në shkollën e re shqipe. Ishte një nga viktimat e para të terrorit që shpërtheu pas dështimit të Revolucionit të Qershorit 1924 dhe ardhjes në fuqi të A.Zogut.
(S.De.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Çeka Sali
[cite]