TRURI I MADH

Quhet me këtë emër, sepse është pjesa më masive dhe më e rëndësishme e sistemit qendror nervor.

Truri i madh është përbërë nga dy hemisfera, që quhen hemisferat e mëdha të trurit. Ato janë të ndara nga njëra-tjetra nga një thellim gjatësor. Çdo hemisferë paraqet disa zona të fryra që quhen lobe e që janë: lobi ballor, lobi parietal, lobi desipital (që ndodhet në pjesën e prapme), ai tëmthor (që ndodhet në anët e hemisferave) etj. Hemisferat e mëdha të trurit janë të përbëra nga dy lëndë: nga lënda e përhime, që formon koren e hemisferave dhe bërthamat e bazës (ganglionet) dhe nga lënda e bardhë që ndodhet në brendësi të tyre. Lënda e përhime, ashtu si edhe në pjesët e tjera të trurit, përbëhet nga qeliza nervore të llojeve e të formave të ndryshme, ndërsa lënda e bardhë është e formuar nga zgjatime të qelizave nervore, pra nga fije nervore, që shërbejnë për të ndërlidhur pjesët e ndryshme të trurit. Hemisferat e mëdha janë sektori më i rëndësishëm i sistemit tonë qendror nervor. Ato rregullojnë bashkëveprimin e të gjitha pjesëve e strukturave të tjera të sistemit qendror nervor dhe drejtojnë gjithë veprimtarinë jetësore të organizmit. Të dy hemisferat lidhen me njëra-tjetrën me një kabëll gjigant, i formuar nga mbi 300 milionë fije nervore. Një ndërlidhje fantastike ekziston edhe brendapërbrenda hemisferave. Me qindra miliarda fije nervore lidhin ndërmjet tyre zonat dhe qelizat e panumërta nervore që i formojnë ato. Tufa të fuqishme nervore lidhin hemisferat e mëdha dhe me katet e mëposhtme të trurit, me trurin e vogël, me atë të ndërmjetëm, me trungun trunor dhe me palcën kurrizore. Përveç këtyre, tufa nervore zbresin nga hemisferat dhe lidhin gjithë organet lëvizëse të trupit. Hemisferat e mëdha, si qendra të sistemit qendror nervor, bashkërendojnë gjithë veprimtarinë e strukturave të tjera të sistemit qendror nervor dhe ato të organizmit.

Trupi — Ynë

[cite]