HISTORIA E ARTEVE


HISTORIA E ARTEVE
✤ Disiplinë e shkencave historike që trajton historinë e arteve (skulpturës, pikturës dekorative e të zbatuar), muzikës, teatrit etj. dhe të arkitekturës. Në Shqipëri nisi të lëvrohet në epokën e socializmit dhe mbështetet në metodën materialiste dialektike dhe në estetikën marksiste-leniniste. Në fushën e historisë së arkitekturës janë bërë punime mbi arkitekturën antike (Apollon Baçe), mbi fortifikimet (Gjerak Karaiskaj), mbi arkitekturën mesjetare (Aleksandër Meksi) etj. që japin informacion të pasur për objektet e arkitekturës, nxjerrin në pah rëndësinë historike, vlerat artistike dhe origjinalitetin e tyre kombëtar. Është botuar «Historia e Arkitekturës në Shqipëri» (maket) nga Instituti i Monumenteve.

Në fushën e historisë së artit, për artin në epokat parahistorike dhe antikitet kanë dhënë ndihmesë arkeologjia dhe historiografia, të eilat kanë nxjerrë në dukje vlerat dhe rrugën origjinale të zhvillimit të tij në Shqipëri. Për artin e periudhës mesjetare, të Rilindjes, të Pavarësisë dhe artin bashkëkohor janë ndërmarrë studime të gjëra nga historianë arti të specializuar (Dh. Dhamo, A. Kuqali etj.). Janë nxjerrë në pah zhvillimi, vlerat, monumentet dhe origjinaliteti kombëtar i pikturës së murit, ikonografisë, miniaturës e arteve të zbatuara mesjetare shqiptare etj. Gjithashtu janë vënë në dukje zhvillimi i gjerë dhe niveli i lartë i artit bashkëkohor në Shqipëri mbi bazën e parimeve të realizmit socialist. Studimet në fushën e historisë së muzikës japin informacion të pasur dhe arrijnë në përfundime me rëndësi mbi zhvillimin, pasurinë dhe origjinalitetin kombëtar të muzikës shqiptare në periudhat e Rilindjes Kombëtare, të Pavarësisë e sidomos të socializmit.Në fushën e historisë së teatrit janë trajtuar veprimtaria teatrale në periudhat e Rilindjes Kombëtare, të Pavarësisë e të socializmit, karakteristikat dalluese, origjinaliteti kombëtar e sidomos roli militant i teatrit bashkëkohor të realizmit socialist.

(A. Ku.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Historia E Arteve


[cite]